“Gjumin s’e bëj rehat” | Mos zbardhja e rastit Dehari – njolla e zezë në karrierën e Albulena Haxhiut
“Diçka që s’më le rehat, diçka që… edhe gjumin s’e bëj rehat, është rasti Dehari. Është rast shumë i rëndë.” Kështu kishte thënë, e përlotur, në një intervistë në T7, ish-ministrja Haxhiu në vitin 2022, transmeton lajmi.net. Por, përveç fjalëve e lotëve, Haxhiu ka treguar ZERO REZULTATE në këtë rast. Për më keq, gjatë mandatit…
Lajme
“Diçka që s’më le rehat, diçka që… edhe gjumin s’e bëj rehat, është rasti Dehari. Është rast shumë i rëndë.”
Kështu kishte thënë, e përlotur, në një intervistë në T7, ish-ministrja Haxhiu në vitin 2022, transmeton lajmi.net.
Por, përveç fjalëve e lotëve, Haxhiu ka treguar ZERO REZULTATE në këtë rast.
Për më keq, gjatë mandatit të saj, ky rast veç është dëmtuar. Me 7 dhjetor 2022, mostrat e Astrit Deharit ishin zhdukur nga laboratori i toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“…po ju them këtu dhe publikisht që autorët do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht. Për këtë nuk ka asnjë dyshim dhe asnjë kompromis.”, kishte thënë Haxhiu në konferencë për media pas zhdukjes së mostrave.
Tash po bëhen 3 vite, autorët ende nuk janë gjetur dhe vetëm disa nga mostrat kanë arritur të gjenden.
Çdo përvjetor nga vitit 2021, Haxhiu kujtohej për rastin Dehari. Në vitin 2021 thoshte se qeveria Kurti po punon në reforma të thella në drejtësi, që do të garantonin drejtësi për rastin Dehari.
Në vitin 2022, Haxhiu thoshte se ky rast nuk do të kaloj pa u zbardhur.
“Vrasja e Astritit në tortura, në duart e shtetit, në institucionin që pretendohej të ishte vendi më i sigurt, nuk do të kalojë pa u zbardhur dhe pa u vënë përgjegjësit e këtij krimi para drejtësisë.”, shkruante Haxhiu.
Kurse, në vitin 2023, në postimin e bërë, Haxhiu kishte filluar të arsyetohej për dështimin e saj për këtë rast.
“Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.”, thoshte ish-ministrja.
Në postimin e vitit të kaluar, Haxhiu thoshte se drejtësia për Astritin është përgjigjësi morale dhe obligim institucional, të cilën dështoi ta bënte ajo si ish-ministre.
Tash, Albulena Haxhiu nuk është më ministre. Erdhi dhe shkoi me fjalë të shumta për zbardhjen e rastit të Deharit. Ky rast do të mbetet një njollë e zezë në karrierën politike të saj./lajmi.net/