Raporti i Progresit: Themelimi i Asociacionit është obligim ligjërisht i detyrueshëm – Serbia s’ka bërë hapa për të siguruar llogaridhënie për sulmin në Banjskë
Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën dhe Serbinë konstaton se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ka bërë përparim të kufizuar, ndërsa të dyja palët nuk po zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit. Sipas raportit, Kosova dhe Serbia pritet të zbatojnë…
Lajme
Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën dhe Serbinë konstaton se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ka bërë përparim të kufizuar, ndërsa të dyja palët nuk po zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit.
Sipas raportit, Kosova dhe Serbia pritet të zbatojnë të gjitha obligimet e marra, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), si dhe njohjen reciproke të dokumenteve, simboleve dhe institucioneve. BE nënvizon se marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht detyruese për të dyja palët dhe se “asnjë formalitet, përfshirë çështjen e ‘formalizimit’, nuk duhet të pengojë zbatimin e saj”, transmeton lajmi.net.
“Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm mbi bazën e performancës në zbatimin e obligimeve të tyre,” thuhet në raport.
Dialogu politik dhe zhvillimet në terren
Gjatë periudhës së raportimit, dialogu i lehtësuar nga BE është zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa Peter Sørensen është emëruar në janar 2025 si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd–Prishtinë.
Raporti përmend se situata në veri të Kosovës ka qenë e qetë por e brishtë, me incidente që kanë ndikuar negativisht në procesin e normalizimit.
Në nëntor 2024 ndodhi sulmi ndaj kanalit Ibër–Lepenc, autorët e të cilit ende nuk janë sjellë para drejtësisë. Po ashtu, gjatë verës së vitit 2025, disa arrestime të ndërsjella nga Kosova dhe Serbia, përfshirë edhe zyrtarë të lartë, ngadalësuan procesin e dialogut.
BE kërkon që Serbia të respektojë Marrëveshjen e Drejtësisë të vitit 2015, sipas së cilës rastet penale për vepra në territorin e Kosovës duhet të trajtohen në gjykatat e Kosovës.
Nga ana tjetër, raporti kritikon veprimet e Kosovës që janë në kundërshtim me frymën e dialogut, përfshirë operacionet policore ndaj strukturave të mbështetura nga Serbia në veri, deportimin e qytetarëve që punonin në agjenci të sigurisë serbe dhe ndërtimin e dy urave të reja në Mitrovicë.
“Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e normalizimit dhe dëmtojnë përpjekjet për de-përshkallëzim,” thuhet në raport, duke iu referuar edhe deklaratës së BE-së të 16 majit 2025.
Ndërkohë, Serbia ka vazhduar aktivitetet e kundërshtimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjë që, sipas Komisionit, është në kundërshtim me Marrëveshjen për Normalizim.
BE thekson se mungesa e hapave nga Serbia për të siguruar llogaridhënie për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023 mbetet një pengesë serioze për përparim.
Zbatimi i marrëveshjeve të kaluara: ngecje e dukshme
Raporti evidenton se asnjëra palë nuk po zbaton plotësisht marrëveshjet e kaluara, përfshirë Marrëveshjen e Parë të Prillit 2013 dhe Marrëveshjen e Drejtësisë të vitit 2015.
-
Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet në nëntor 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri në prill 2023 përbëjnë shkelje të qarta të obligimeve të Serbisë nga dialogu.
-
BE mirëpret pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025 dhe ato lokale më 12 tetor 2025, duke e cilësuar si hap të parë drejt kthimit në institucione, por kërkon që ky proces të ndodhë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet ekzistuese.
-
Asnjë përparim nuk është bërë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), pavarësisht projekt-statutit të BE-së të paraqitur në tetor 2023.
Energjia, lëvizja e lirë dhe bashkëpunimi teknik
-
Zbatimi i marrëveshjeve të energjisë (2013, 2015 dhe 2022) ka vazhduar pjesërisht, ndërsa BE kërkon që Serbia të përmbushë detyrimet e saj ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
-
Sa i përket Lëvizjes së Lirë, BE mirëpret njohjen reciproke të targave dhe tërheqjen e targave serbe me emra të qyteteve të Kosovës, por kërkon hapa shtesë nga Kosova për lehtësimin e regjistrimit të automjeteve dhe dokumenteve personale.
-
Marrëveshjet për Telekomunikacionin, Cadastrën dhe njohjen e diplomave mbeten pjesërisht ose aspak të zbatuara, kryesisht për shkak të moszbatimit nga Serbia.
Në aspektin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM), vetëm dy nga gjashtë pikëkalimet e përhershme kufitare (Merdare dhe Mutivodë) janë funksionale.
Serbia ende nuk ka ngritur pikat e veta të përhershme në Jarinjë, Konçulj dhe Depce, gjë që ka çuar në pezullimin e fondeve të BE-së për këtë projekt që nga viti 2018.
Personat e zhdukur
Në fushën humanitare, raporti shënon përparim të kufizuar në zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të majit 2023.
Në dhjetor 2024, palët u pajtuan për Kushtet e Referencës për Komisionin e Përbashkët, por ende nuk është mbajtur asnjë takim.
Komisioni kërkon nga të dyja palët që të shmangin politizimin e kësaj çështjeje dhe të nisin menjëherë punën konkrete për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Vlerësimi i përgjithshëm
Në përfundim, Komisioni Evropian thekson se të dyja palët kanë marrë pjesë në dialog, por duhet të tregojnë angazhim më serioz dhe konstruktiv për të ecur përpara.
“Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet që minojnë stabilitetin, si dhe retorikën që nuk kontribuon në dialog dhe pajtim,” theksohet në raport.
BE paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve, dhe se mungesa e përparimit rrezikon humbjen e mundësive të rëndësishme në këtë rrugë./lajmi.net/