Raporti i Progresit “shuplakë” Kurtit e VV-së: Kryeministrit në fushatë zgjedhore ka përdorur gjuhë fyese ndaj gazetarëve – RTK në kolaps

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën ka konstatuar se vendi nuk ka bërë asnjë përparim në fushën e lirisë së shprehjes dhe mediave, pavarësisht se konsiderohet me “disa nivele përgatitjeje” për zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian. Raporti thekson se Gjykata Kushtetuese ka anuluar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi…

Lajme

04/11/2025 13:44

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën ka konstatuar se vendi nuk ka bërë asnjë përparim në fushën e lirisë së shprehjes dhe mediave, pavarësisht se konsiderohet me “disa nivele përgatitjeje” për zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian.

Raporti thekson se Gjykata Kushtetuese ka anuluar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi dispozitat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve u vlerësuan jokushtetuese, duke vënë në rrezik pavarësinë e këtij institucioni rregullator. Komisioni kërkon miratimin urgjent të një ligji të ri, të përputhur me acquis-in e BE-së dhe aktet ndërkombëtare, përfshirë Akti Evropian për Lirinë e Mediave dhe Direktivën kundër padive strategjike (anti-SLAPP), transmeton lajmi.net.

Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve

Gjatë periudhës së raportimit, janë raportuar 70 raste të sulmeve fizike e verbale, kërcënimeve dhe pengimit të punës së gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Raporti përmend edhe një rast të padisë strategjike (SLAPP) kundër pjesëmarrjes publike.

Sipas Komisionit, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin, gjatë fushatës zgjedhore kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave, duke rritur presionin publik ndaj gazetarëve.

“Rasti i përdorimit të gjuhës ofenduese nga zyrtarë të nivelit të lartë është shqetësues dhe dëmton klimën e lirisë së medias,” thuhet në raport.

Korniza ligjore dhe zbatimi

Komisioni vëren se ligjet aktuale për mediat ende nuk janë harmonizuar me standardet evropiane.
Miratimi i Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe Ligjit për mbrojtjen e burimeve gazetareske mbetet i pezulluar, ndërsa Ligji për fyerje dhe shpifje civile (nga viti 2008) ende nuk përputhet me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gazetarët, sipas raportit, përballen me vonesa të rregullta në qasjen në dokumente publike, ndërsa mediat në gjuhën serbe hasin vështirësi për shkak të mangësive në zbatimin e Ligjit për gjuhët.

Institucionet mediatike në krizë

Komisioni shpreh shqetësim serioz për jofunksionalitetin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), i cili humbi kuorumin në janar 2025, dhe në maj kishte vetëm dy anëtarë aktivë, çka bllokoi marrjen e vendimeve – përfshirë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Po ashtu, Bordi i Apelimit i KPM-së nuk ka kuorum që nga nëntori 2023.

Në raport theksohet se Kuvendi i ri i Kosovës duhet të veprojë urgjentisht për të rregulluar përbërjen e KPM-së dhe për të siguruar funksionimin normal të këtij institucioni.

RTK – transmetuesi publik në kolaps

Komisioni vlerëson se nuk ka pasur asnjë përparim në gjetjen e një modeli të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), i cili përballet me probleme të rënda buxhetore, pronësore dhe menaxheriale.

  • Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm është vakante që nga shtatori 2024,

  • Bordi i RTK-së nuk ka pasur kuorum që nga dhjetori 2024,

  • RTK vazhdon të jetë jofunksionale, duke mos mundur të përmbushë rolin e saj si transmetues publik.

Në janar 2025, drejtori i RTK 2 i është drejtuar institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar me një letër alarmuese, duke paralajmëruar rënien e funksionimit të kanalit, për shkak të mungesës së buxhetit dhe pamundësisë së bordit për të marrë vendime.

Sipas raportit, 75% e buxhetit të RTK-së shkon për paga, ndërsa ndërtesa ku operon transmetuesi është në gjendje të keqe dhe nuk është në pronësi të RTK-së. Një numër i madh punonjësish janë larguar ose kanë marrë leje pa pagesë, veçanërisht në sektorët teknikë dhe në ato që u shërbejnë komuniteteve joshumicë.

Komisioni paralajmëron se pa një ligj të ri për financimin e RTK-së, transmetuesi publik do të mbetet i varur nga ndikimi politik dhe pasiguria financiare.

Problemet ekonomike dhe pronësia e mediave

Sektori mediatik në Kosovë mbetet i paqëndrueshëm financiarisht dhe jo transparent në pronësi dhe financim.
Regjistri aktual i mediave përfshin vetëm radio dhe televizione të licencuara, ndërsa nuk ka të dhëna për pronarët përfundimtarë apo pjesëmarrjen në tregun mediatik.

Kjo situatë, sipas raportit, e bën sektorin të varur nga donatorët e huaj ose të cenueshëm ndaj ndikimit politik dhe presionit financiar.
Mediat e pavarura, sidomos ato të komuniteteve joshumicë, vuajnë nga mungesa e fondeve, ndërsa programet për edukimin mediatik dhe verifikimin e fakteve janë ndikuar negativisht nga mungesa e financimeve.

Liria në internet dhe siguria online

Komisioni vëren se nuk ka legjislacion kufizues për funksionimin e mediave online apo lirinë e shprehjes në internet.
Megjithatë, kërkohet që Kosova të zhvillojë politika për parandalimin e dhunës kibernetike, përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe abuzimin ndaj fëmijëve në internet, në përputhje me standardet evropiane.

Kushtet e punës dhe organizatat profesionale

Këshilli i Mediave të Shkruara ka zgjedhur një kryetar të ri dhe ka ndryshuar statutin për të rritur efektivitetin e tij.
Megjithatë, kushtet e punës për gazetarët mbeten të vështira – me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe status të pasigurt ligjor.

RTK mbetet e vetmja media në Kosovë që ka një sindikatë të brendshme, ndërsa në sektorin privat mungon përfaqësimi i strukturuar sindikal.

Raporti i Komisionit Evropian vlerëson se Kosova nuk ka bërë përparim në garantimin e lirisë së shprehjes, ndërsa kërcënimet ndaj gazetarëve, jofunksionaliteti i institucioneve dhe mungesa e financimit të qëndrueshëm përbëjnë pengesat kryesore.

“Pa veprime të qarta ligjore dhe politike për të mbrojtur gazetarët, për të garantuar pavarësinë e mediave dhe për të siguruar transparencë në financim, liria e shprehjes në Kosovë mbetet e brishtë,” përfundon raporti i BE-së./lajmi.net/