Përparim Rama i reagon sërish Kurtit: Cilin buxhet nuk e jep, të shtetit me tatime, apo të partisë që e ke kthyer në pronë?

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar sërish Albin Kurtit i cili tha se nuk jep buxhet për kryetarët e komunave nga partitë e tjera. Rama tha se deklarata e Kurtit është skandal. ‘Deklarata “nuk e jap buxhetin për…” është skandaloze. Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt “s’e jep”? Të popullit që e mban…

Lajme

02/11/2025 12:06

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar sërish Albin Kurtit i cili tha se nuk jep buxhet për kryetarët e komunave nga partitë e tjera.

Rama tha se deklarata e Kurtit është skandal.

‘Deklarata “nuk e jap buxhetin për…” është skandaloze. Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt “s’e jep”? Të popullit që e mban këtë shtet me tatime, punë dhe durim, apo të partisë që e ke shndërru në pronë private?”, tha Rama.

“Albin Kurti e tha më në fund me zë të lartë atë që unë kam alarmuar prej dy vitesh: “S’ka para, s’ka përkrahje, s’ka zhvillim për komunat që s’janë me ne”, tha ai.

Sipas Ramës, buxhetit i shtetit nuk është shpërblim.

“Buxheti i shtetit nuk është shpërblim as ndëshkim, është detyrim kushtetues! Ai nuk shpërndahet sipas besnikërisë partiake. Në demokraci, kush e përdor paranë publike për të ndëshkuar kundërshtarët, është autokrat që fshihet pas fjalëve “populliste”. Kjo nuk është më politikë është rrezik institucional!”, ka shkruar i pari i kryeqytetit.

Rama tha se ish-kryeministri po flet si pronar.

“Kur ish kryeministri flet si pronar, qytetari humb statusin e sovranit. Aty ku qytetari humb, fillon kultivimi i një autokracie të rrezikshme, që ushqehet nga servilizmi, frika dhe përfitimi. Albin Kurti, pushteti nuk është pasqyrë për t’u admiruar. Është provim që e ke dështuar me arrogancë. Ata që i ke pranë servilët dhe të padijshmit që ta ushqejnë egon përditë ndoshta ta kanë krijuar përshtypjen se je figurë superiore, i pazëvendësueshëm, mbi ligjin dhe mbi kushtetutën. Por nuk je”, tha Rama.

“Kosova është shtet demokratik. Këtë duhet ta mbash mend ti dhe ata që i ke pranë, që në vend se të të korrigjojnë për deklarata kaq skandaloze, të duartrokasin me servilizëm!”, theksoi ai.