IPK nis hetimet lidhur me një incident mes disa policëve në Stacionin Policor në Prizren dhe një avokati
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet lidhur me një incident mes disa zyrtarëve policorë në Prizren dhe avokatit Naim Cahanaj, i cili rast pretendohet të ketë ndodhur më 25 shtator 2025 në Stacionin Policor në Prizren Këtë e ka konfirmuar vetë IPK-ja më 1 tetor 2025. “Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se…

Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet lidhur me një incident mes disa zyrtarëve policorë në Prizren dhe avokatit Naim Cahanaj, i cili rast pretendohet të ketë ndodhur më 25 shtator 2025 në Stacionin Policor në Prizren
Këtë e ka konfirmuar vetë IPK-ja më 1 tetor 2025.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK ka pranuar rastin në fjalë. I njëjti është përcjellë për hetim në Departamentin e Hetimeve të IPK-së kurse veprimet tjera do të ndërmerren komfor autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Sipas avokatit Cahanaj, ai ishte largua nga zyrtarët policorë gjatë kohës kur po intervistohej një i dyshuar, për të cilin ishte caktuar avokat sipas detyrës zyrtare.
“Kam qenë i ftuar sipas detyrës zyrtare për një klient, pas dhënies se deklaratës kërkova një aktvendim për ndalim të cilin nuk e kisha, dhe filluan me i bë presion për një numër telefonit për shkak që s’ka pas letërnjoftim edhe s’e ka ditë numrin personal. Aq shumë presion, për të cilin unë reagova pasi nuk mundesh me i bë aq shumë presion, për diçka që ai mundet mos me u deklaru”, ka thënë avokati.
Avokati pretendon se njëri zyrtar policor i ka thanë të dalë jashtë, pasi kanë kryer punë me të.
“I thash a jeni të sigurt që me mua e keni kry, pasi jam i ftuar sipas detyrës zyrtare dhe derisa nuk e kam një aktvendim për ndalesë, ju ende me klient jeni këtu, dy-tre herë kështu dhe më tha dil sa nuk të kam qitë. Thash për me m’qitë s’ka nevojë, dalë unë dhe dola”, ka thënë tutje ai.
Ai pretendonet se nuk i është dhënë aktvendimi mbi ndalimin e klientit të tij, ndonëse po mbahej mbi gjashtë orë në ndalim.
Canhanaj kishte thënë se menjëherë ka raportuar në Odën e Avokatëve dhe Inspektoratin Policor, për sipas tij, presionin e vazhdueshëm të zyrtarëve me klientin dhe sjelljet ndaj tij.
“Me sa di unë, ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me këta zyrtarë policorë me sa di deri në sqarimin e situatës dhe sa e di nuk dërgon më avokatë sipas detyrës zyrtare ku janë këta zyrtarë policorë”, ka thënë ai për “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, thotë se ka qenë vetëm një keqkuptim.
“Nuk mundem me quajt që ka qenë incident, nuk ka pas ndonjë rast të veçantë, avokati ka qenë në mbrojtje të një personi të dyshuar dhe pasi ka përfunduar intervistën, Policia i ka thënë a mundesh me dalë, je i lirë me dalë dhe ai e ka keqkuptuar, nuk ka pas ndonjë incident”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.
Sa i përket ndërprerjes se bashkëpunimit me këta zyrtarë, Bytyqi ka thënë se nuk ka informacion.
“Jo, jo absolutisht ne nuk kemi informacion, apo ndonjë reagim për ndërprerje të bashkëpunimit nga Oda e Avokatëve”, ka thënë ai.