“Sulm ndaj lirisë së medias” – AGK dënon Faton Pecin për paralajmërimin e padive ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës Jugore, Faton Peci, i cili ka paralajmëruar padi ndaj disa gazetarëve për publikimin e rezultateve të exit-polleve gjatë ditës së zgjedhjeve. Në një reagim publik, AGK shprehet “thellësisht e shqetësuar” për këtë paralajmërim, duke e…

Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës Jugore, Faton Peci, i cili ka paralajmëruar padi ndaj disa gazetarëve për publikimin e rezultateve të exit-polleve gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në një reagim publik, AGK shprehet “thellësisht e shqetësuar” për këtë paralajmërim, duke e cilësuar atë si një përpjekje të qartë për të intimiduar dhe penguar punën profesionale të gazetarëve në Kosovë, raporton lajmi.net
“Ky akt i zotit Peci është një sulm brutal ndaj lirisë së raportimit dhe përpjekje për të dekurajuar punën e gazetarëve,” thuhet në deklaratën e AGK-së.
Postimi i plotë i AGK:
AGK-ja dënon paralajmërimin intimidues të Faton Pecit kundër disa gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është thellësisht i shqetësuar me paralajmërimin e kandidatit të Vetëvendosjes për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci se do të padisë disa gazetarë për shkak të publikimit të exit-polleve.
AGK-ja e vlerëson paralajmërimin për padi kriminale ndaj gazetarëve si përpjekje e hapur për intimidim dhe pengim të punës së tyre si gazetarë.
Ky akt i zotit Peci është sulm brutal ndaj lirisë së raportimit në Kosovë, dhe përpjekje për të dekurajuar punën e gazetarëve.
AGK e sheh këtë veprim edhe si përpjekje për ta kaluar betejën politike në mediale, gjë që është e papranueshme.
Zoti Peci ka një histori të sulmeve ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe AGK-ja e fton që të heqë dorë nga kjo praktikë shumë e dëmshme për demokracinë në Kosovë./Lajmi.net/