“Sami Lushtaku dhe vendimi për mosarrestim” – Top tri deklaratat e zyrtarit amerikan në Hagë në mbrojtje të Thaçit

Në një seancë të mbushur me dëshmi të forta në Gjykatën Speciale në Hagë, diplomati dhe zyrtari i lartë amerikan, Jock Covey, ka dhënë një pasqyrë të detajuar të situatës në Kosovë në periudhën pas luftës. Ish-përfaqësuesi i lartë i UNMIK-ut foli gjatë për rolin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, qasjen ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të asaj…

Lajme

01/10/2025 19:18

Në një seancë të mbushur me dëshmi të forta në Gjykatën Speciale në Hagë, diplomati dhe zyrtari i lartë amerikan, Jock Covey, ka dhënë një pasqyrë të detajuar të situatës në Kosovë në periudhën pas luftës.

Ish-përfaqësuesi i lartë i UNMIK-ut foli gjatë për rolin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, qasjen ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të asaj kohe dhe sfidat me të cilat përballej misioni i Kombeve të Bashkuara në terren, raporton lajmi.net

Dëshmia e Covey përfshiu një sërë temash që shkojnë nga dështimet e UNMIK-ut, mungesa e provave për ndalime të figurave kyçe të UÇK-së, e deri te vlerësimi i rolit të Hashim Thaçit dhe Sami Lushtakut në strukturat e pasluftës.

Thaçi “nuk ishte luftëtar”

Një nga deklaratat më të forta dhe më të komentuara të seancës ishte ajo për Hashim Thaçin. Covey theksoi se, sipas vlerësimit të tij personal dhe profesional, Thaçi nuk ka qenë një figurë luftarake në terren.

“Gjykimi ynë ishte krejt i qartë që ky person që ndodhej pranë nesh nuk ishte luftëtar dhe nuk besoj që ka ndonjë të dhënë që ky njeri ka gjuajtur ndonjëherë ndonjë plumb si rezultat i mërzisë apo zemërimit”, deklaroi Covey.

Sipas tij, Thaçi kishte kaluar “në mënyrë automatike” në rolin e një qeverie të përkohshme pas luftës, por pa mandat legjitim nga UNMIK-u. Ai përshkroi ish-kreun politik të UÇK-së si një figurë ambicioze dhe shumë të zgjuar, por me mungesë përvoje politike dhe ekzekutive.

“Ne që në fillim kemi vlerësuar se ai po përpiqej që të gjente rolin e duhur. Kishte ambicie të mëdha. Ishte shumë e qartë që ishte shumë i zgjuar, por nuk kishte përvojë për këto çështje dhe po përpiqej që të orientohej në gjetjen e një roli për të siguruar ambiciet e tij”.

“Nuk ka gëzuar respekt nga ata që kanë humbur shokë në luftë”

Covey shtoi më tej se Thaçi nuk kishte ndikim të drejtpërdrejtë te luftëtarët që kishin marrë pjesë në betejat në terren.

“Ky person nuk ka gëzuar respekt nga ana e atyre që kanë luftuar në terren dhe kanë humbur shokë të tyre”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Kjo mungesë autoriteti e përkufizuar sipas tij ka qenë një element kyç që i bënte të vështira përpjekjet për ndërtimin e një strukture të qëndrueshme të sigurisë dhe ligjit në Kosovën e pasluftës.

Sami Lushtaku dhe vendimi për mosarrestim

Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së Covey lidhej me Sami Lushtakun, për të cilin ai tha se kishte një reputacion të fuqishëm në zonën e Drenicës.

Ai tha se ndonëse kishte tentativa për ndalimin e tij, mungesa e provave dhe frika e një destabilizimi më të madh e kishte bërë UNMIK-un të tërhiqej nga ideja e arrestimit.

“Vendimi ishte: mund ta ndaloni atë nëse keni elemente mjaftueshëm”, deklaroi Covey, duke shtuar se “arrestimi i tij do të krijonte rrëmujë me të cilën do të duhej të merrej KFOR-i”.

“Në faqen 30 të paragrafit 2 të faqes 1 ju përshkruani një incident me Sami Lushtakun ka pasur pozicion drejtues në UÇK gjatë konfliktit dhe më pas është njohur si Lord lufte virtual ai besohej se ishte personi jo vetëm për të terrorizuar serbët por që ka vrarë dhe shqiptarët të cilët besohet se kanë bashkëpunuar me serbët përpara konfliktit. Më pas theksoni se si policia synonte ta prangoste Lushtakun por me të ngjarë nuk do të kishte dëshmitarë për këtë… në disa raste të kësaj natyre ne kishim ushtarët administrativ të UNMIK-ut për ndalime ekzekutive për të arrestuar një person që konsiderohej i rrezikshëm…sidoqoftë në këtë rast ne morëm një vendim në koordinim me KFOR-in, që të mos e qojmë më tej këtë punë sepse fillimisht duhej të kishim prova të forta dhe të kishim një infrastrukturë të fortë civile ushtarake policore ku qëndronte Lushtaku”, tha ai.

Ai u pyet edhe për sulmin tek familja Jashari për çka tha se kishte dijeni.

“Kjo ka quar në një fluks të madh njerëzish që kanë shkuar në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së. Nuk i kam ndjekur nga afër këto zhvillime. Në atë kohë në Këshillin e sigurimit, kam qenë i përqëndruar në zbatimin e marrëveshjes së Deytonit. Pra, përgjigja e shkurtër është po kam pas dijeni por jo në hollësi, hollësitë kanë qenë të pakta”, ka thënë Covey.

Me kaq përfundoi seanca e sotme, për të vazhduar sërish nesër me pyetjet shtesë të avokatit Luka Mishetiq./Lajmi.net/