Krasniqi: Antiamerikanizmi kronik i Kurtit – politikë e vetëlëndimit, mazohizëm politik
Profesori universitar Milazim Krasniqi kritikoi me tone të ashpra qasjen e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj ShBA-së dhe menaxhimin e situatës në veri, duke e përkufizuar atë si “antiamerikanizëm (kronik e kronologjik)” dhe si një “politikë të vetëlëndimit”. Sipas Krasniqit, Prishtina ka ndjekur një “politikë agresive pa fuqi adekuate” për ta zbatuar pa pasoja për shtetin—diçka që ai e…

Lajme
Profesori universitar Milazim Krasniqi kritikoi me tone të ashpra qasjen e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj ShBA-së dhe menaxhimin e situatës në veri, duke e përkufizuar atë si “antiamerikanizëm (kronik e kronologjik)” dhe si një “politikë të vetëlëndimit”.
Sipas Krasniqit, Prishtina ka ndjekur një “politikë agresive pa fuqi adekuate” për ta zbatuar pa pasoja për shtetin—diçka që ai e cilëson ose “naivitet” ose “aventurizëm”.
Analiza e Krasniqit:
Antiamerikanizmi (kronik e kronologjik) i Albin Kurtit
(Moto: Kjo nuk është politikë shtetërore, bile as partiake. Kjo mund të quhet politikë e vetëlëndimit, mazohizëm politik.)
Politika agresive, pa e pasur fuqinë adekuate për ta zbatuar deri në fund e pa pasoja për shtetin, është ose naivitet, ose aventurizëm. E tillë ishte politika e Kurtit në veri. Veprimet e pakoordinuara në veri (sidomos vendimi për targat dhe inaugurimin e kryetarëve të komunave) u shfrytëzuan nga Serbia për të shkaktuar krizë zingjirore (barrikadat e serbëve në rrugë, daljen nga institucionet, dorëheqjen e kryetarëve të komunave, sulmin terorrist në Banjskë.) BE- i vendosi masa Kosovës, ndërsa Serbia po luajti rolin e viktimës. Absurd i llojit të vet. Kur e shmangu rrezikun që të sanksionohej për sulmin terrorist në Banjskë, tash Serbia iu rikthye politikës së dhunshme. Mbajtja peng e qindra udhëtarëve dhe arrestimi i policëve mund të jetë vetëm fillimi i një skenari të ri të dhunës që po përgatitet. Kosova duhet të gjejë mënyrë ta shmang skenarin serb të konfliktit, e jo të bjerë në grackë, siç ka ra disa herë gjatë kësaj qeverie. E hidhur për ta thënë, por e vërteta është se qeveria Kurti nuk ka një politikë mirëfilli shtetërore përballë Serbisë. Ndërmerr veprime me efekte elektorale, mandej kur dështon, dështimin e vjetër e mbulon me një dështim të ri. Kjo nuk është politikë shtetërore, bile as partiake. Kjo mund të quhet politikë e vetëlëndimit, mazohizëm politik. (18 prill 2024).