Mozzik për orën Richard Mille: Ishte lojë, VV-ja e ka personale me mua – A është në dijeni Kryeministri për këto?
Reperi i njohur, Gramoz Aliu (Mozzik) ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas raportimeve të ditëve të fundit që lidhen me ndaljen e tij në aeroport dhe orën e tij luksoze të markës Richard Mille. Ai pretendon se e gjithë situata ishte një “lojë me skenar” e bërë prej vetë atij, por sipas…

ShowBiz
Reperi i njohur, Gramoz Aliu (Mozzik) ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas raportimeve të ditëve të fundit që lidhen me ndaljen e tij në aeroport dhe orën e tij luksoze të markës Richard Mille.
Ai pretendon se e gjithë situata ishte një “lojë me skenar” e bërë prej vetë atij, por sipas tij, prapavija është shumë më personale, raporton lajmi.net
“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë,” ka shkruar Mozzik.
Ai iu është drejtuar edhe personave që, sipas tij, kanë qenë në detyrë natën kur ndodhi ndalimi i tij, duke i inkurajuar që të flasin hapur për presionin që kanë pasur nga figura politike.
“Personat që ishin në detyrë atë natë, mos u frikësoni! Dilni dhe tregoni hapur, ashtu siç ma keni thënë mua vetë, që keni pasur presion prej Hekuranit e Dimalit për të më ndalur në aeroport. Dilni dhe kallxoni se kjo ishte sulm politik – sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar,” shkroi ai.
Mozzik, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz Aliu, përmendi gjithashtu edhe problemet që, sipas tij, i janë shkaktuar nga Administrata Tatimore e Kosovës.
“Që dy vite jam në hall të madh prej padrejtësive që më janë bërë me ATK, dhe krejt kjo punë tash u bë vetëm për ta vërtetuar atë që e kam thënë gjithmonë,” shtoi ai, duke theksuar se të ardhurat i ka fituar vetëm me punën dhe talentin e tij: “Ama jo, jo – nuk i kam fituar paratë as me drogë, as me hajni 👍. I kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro 🫡.”
Në fund të postimit të tij, Mozzik i drejtoi edhe një pyetje Kryeministrit të vendit.
“Dua të di me gjithë qejfin e zemrës: a është në dijeni Kryeministri për këto inate personale të vendësve të mi ndaj meje?!”
Ai përfundoi mesazhin me një deklaratë të drejtpërdrejtë.
“Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush 😉. Më leni rahat, se tash ju nxora ashiqare! Suksese!”/Lajmi.net/