Turqia heq tarifat ndaj disa produkteve të SHBA-së
Turqia ka hequr tarifat shtesë ndaj disa importeve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë ndaj pijeve alkoolike, veturave, duhanit dhe produkteve kozmetike, bëri të ditur Ministria e Tregtisë më 22 shtator. Turqia kishte vendosur tarifa shtesë doganore për një sërë produktesh me origjinë nga SHBA-ja sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, në përgjigje të tarifave…

Bota
Turqia ka hequr tarifat shtesë ndaj disa importeve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë ndaj pijeve alkoolike, veturave, duhanit dhe produkteve kozmetike, bëri të ditur Ministria e Tregtisë më 22 shtator.
Turqia kishte vendosur tarifa shtesë doganore për një sërë produktesh me origjinë nga SHBA-ja sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, në përgjigje të tarifave amerikane të vendosura më 2018 ndaj importeve të çelikut dhe aluminit.
“Në këtë fazë, si rezultat i përparimit pozitiv të negociatave me SHBA-në dhe në konsultimet e mbajtura brenda kornizës së mekanizmit për zgjidhjen e mospajtimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, përfshirë raportimeve të panelit, obligimet shtesë financiare që ishin vendosur ndaj disa produkteve me origjinë amerikane janë hequr”, tha ministria turke.
Ministria e Tregtisë shtoi se raportet ekonomike vazhdojnë të mbesin shtylla kryesore e dialogut strategjik mes Ankarasë dhe Uashingtonit, teksa të dyja palët po synojnë të arrijnë objektivin prej 100 miliardë dollarësh në tregtinë dypalëshe.
Vendimi i Ankarasë vjen para takimit të rëndësishëm që do të mbahet këtë javë mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Trump njoftoi se Erdogan do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë të enjten, pasi dy udhëheqësit të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork./REL