Perëndimi menjëherë duhet të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën
Burimi: The Telegraph Sulmet e fundit me dronë nga Rusia ndaj Polonisë, jo vetëm që tregojnë se Vladimir Putini po përpiqet të shohë deri ku mund ta sfidojë NATO-n – dhe duket se mund të shkojë mjaft larg – por, gjithashtu dëshmojnë se ai është i gatshëm të vrasë civilët në Poloni ashtu siç po…

Opinion
Burimi: The Telegraph
Sulmet e fundit me dronë nga Rusia ndaj Polonisë, jo vetëm që tregojnë se Vladimir Putini po përpiqet të shohë deri ku mund ta sfidojë NATO-n – dhe duket se mund të shkojë mjaft larg – por, gjithashtu dëshmojnë se ai është i gatshëm të vrasë civilët në Poloni ashtu siç po bën në Ukrainë.
Ashtu siç ishim të gatshëm të rrëzonim dronët dhe raketat iraniane të drejtuara ndaj caqeve civile në Izrael, po ashtu duhet të mbrojmë popullin e Ukrainës i cili tashmë po përjeton vitin e katërt të dhunës së paprovokuar ruse. Mënyra për ta bërë këtë është duke rrëzuar dronët dhe raketat ruse.
Isha në Irak në vitin 1991, kur Mbretëria e Bashkuar ndihmoi në krijimin e zonës së ndalim-fluturimit në Veri të Irakut, çka shpëtoi qindra-mijëra kurdë dhe parandaloi shfarosjen e tyre nga Saddam Husseini. Në vitin 2014, pas një prej shumë udhëtimeve të mia në kërkim të armëve kimike të presidentit Assad, iu luta qeverisë britanike të krijonte një zonë të ndalim-fluturimit në Veriperëndim të Sirisë. Nuk arritëm ta realizonim këtë, dhe pasojat ishin katastrofike: qindra-mijëra civilë u masakruan nga bombardimet e Assadit dhe Putinit gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.
Tani kemi një mundësi për të krijuar një zonë të ndalim-fluturimit në Ukrainën perëndimore, për të shpëtuar potencialisht miliona jetë, ndërkohë që rusët vazhdojnë të sulmojnë caqet civile me mijëra dronë dhe raketa çdo javë.
Këtë herë, të paktën është inkurajuese të dimë se zyrtarët perëndimorë kanë konfirmuar se po shqyrtohen në detaje opsionet e mëtejshme për të mbrojtur civilët në Ukrainë – gjë që nënkupton, sipas të gjitha gjasave, një lloj “mburoje ajrore” mbrojtëse. Edhe pa fuqinë ajrore amerikane, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet evropiane të NATO-s zotërojnë aeroplanët luftarakë dhe kapacitetet mbrojtëse ajrore për ta realizuar këtë – edhe pse padyshim do të ishte shumë më e dëshirueshme me përfshirjen e ShBA-së.
Gjatë viteve të mia të angazhimit për krijimin e një zone të ndalim-fluturimit në Veriperëndim të Sirisë, kundërshtarët e kësaj ideje e ekzagjeruan tej mase fuqinë mbrojtëse dhe sulmuese të aviacionit rus, sikur të kishin dalë drejtpërdrejt nga ndonjë konferencë e Kremlinit, duke sugjeruar se kapacitetet e NATO-s nuk ishin të mjaftueshme për ta përballuar këtë sfidë.
Megjithatë, pas operacionit ajror të ShBA-së, këtë vit, për të sulmuar programin e armëve iraniane, tashmë e dimë se teknologjia perëndimore është shumë e aftë për këtë detyrë. Aeroplanët F-35 dhe aeroplanët e tjerë që nuk detektohen, kryen misionet e bombardimeve pa u penguar aspak nga sistemi mbrojtës rus S-400, i cili në teori ishte “i pathyeshëm”, ndërkohë që aeroplanët luftarakë iranianë – gjithashtu rusë – nuk u ngritën fare në ajër.
Për më tepër, nga burime të ndryshme kam mësuar se raketat mbrojtëse ajrore S-300 ishin të pafuqishme edhe ndaj aeroplanëve që detektohen. Edhe pse nuk pretendoj të jem ekspert i fuqisë ajrore, kam konsultuar ekspertë të fushës dhe duket qartë se me numrin e madh të aeroplanëve F-35 që zotërojnë vendet evropiane të NATO-s, të mbështetur nga inteligjenca dhe kapacitetet e luftës elektronike perëndimore, mund të vendosim një mburojë efektive ajrore mbi caqet civile në perëndim të Kievit dhe potencialisht deri në kufi në lindje.
Ky demonstrim i fuqisë ajrore ushtarake evropiane mund të shërbejë si katalizator për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e negociatave – gjë të cilën as sanksionet dhe as deklaratat e forta nuk e kanë arritur deri tani. Ai do ta kuptojë se nëse ne tregojmë forcën tonë ushtarake, forcat e tij mund të detyrohen të tërhiqen drejt Lindjes, në vend që të avancojnë drejt Perëndimit.
Të mos përfundojmë përsëri në anën e gabuar të historisë. Shpresoj që të paktën kryeministri britanik tani do ta kuptojë se Putini shfrytëzon dobësinë, por e respekton forcën.
Koha ka rëndësi teksa forcat ushtarake ruse dhe bjelloruse sërish po ushtrohen pranë Kievit, njësoj si në shkurtin e vitit 2022, pak përpara se Putini të urdhëronte pushtimin e plotë dhe të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”.
Ukraina ka dëshmuar vendosmërinë e saj. Tani është radha jonë për “koalicionin e të gatshmëve” për të treguar më në fund se agresioni dhe e keqja e tiranisë ruse të Putinit nuk do të përhapen më tej në Perëndim; se vrasja e drejtpërdrejtë e civilëve nuk është kurrë e pranueshme; se është një krim lufte, për të cilin shpresoj që një ditë tirani të japë llogari.