Krasniqi para ambasadorit australian: PDK ka mbajtur qëndrim të përgjegjshëm dhe konstruktiv për të zhbllokuar institucionet dhe për të rikthyer stabilitetin politik

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e partisë ambasadorin e Australisë të akredituar në Kosovë, Richard Rodgers. Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit politike në vend dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova në ndërtimin institucional. Krasniqi tha se gjatë takimit ka theksuar qëndrimin e…

Lajme

09/09/2025 22:20

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e partisë ambasadorin e Australisë të akredituar në Kosovë, Richard Rodgers. Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit politike në vend dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova në ndërtimin institucional.

Krasniqi tha se gjatë takimit ka theksuar qëndrimin e përgjegjshëm dhe konstruktiv të PDK-së në funksion të zhbllokimit të institucioneve dhe rikthimit të stabilitetit politik në vend. Sipas tij, kjo është bërë përmes angazhimit politik serioz dhe ofertave konkrete që PDK ka dhënë në proceset vendimtare për vendin.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për sfidat aktuale në procesin e ndërtimit institucional. Theksova se PDK ka mbajtur qëndrim të përgjegjshëm dhe konstruktiv në përpjekje për të zhbllokuar institucionet dhe për të rikthyer stabilitetin politik,” tha Krasniqi.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mundësitë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Australisë, në fusha me interes të ndërsjellë si zhvillimi ekonomik, arsimi, kultura dhe siguria.

Në fund, lideri i PDK-së falënderoi ambasadorin Rodgers për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës, duke përfshirë njohjen e hershme të pavarësisë dhe angazhimin e vazhdueshëm diplomatik në mbështetje të sovranitetit dhe zhvillimit demokratik të vendit./lajmi.net/