Presidenca publikon komentin e Osmanit drejtuar Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas komenteve të saj Osmani thotë se funksionimi efektiv i institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti i Kuvendit si ushtrues i sovranitetit është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues, prandaj në kushtet kur bllokohet konstituimi i Kuvendit,…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas komenteve të saj Osmani thotë se funksionimi efektiv i institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti i Kuvendit si ushtrues i sovranitetit është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues, prandaj në kushtet kur bllokohet konstituimi i Kuvendit, pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues, e rrjedhimisht edhe ushtrimi i sovranitetit.
“Prandaj, mbrojtja e sovranitetit me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë ndërlidhet poashtu me Kuvendin si bartës i tij. Në thelb, mungesa e ushtrimit efektiv të sovranitetit nënkupton edhe mungesën e kapacitetit shtetëror për të vepruar institucionalisht edhe për t’i përmbushur funksionet themelore të shtetit. Nëse përfaqësimi demokratik dhe institucional nuk garantohen në praktikë, atëherë rrezikohet jo vetëm rendi kushtetues, por edhe vetë koncepti i shtetit sovran dhe funksional të Republikës së Kosovës”, thuhet në komentin e presidentes dërguar Kushtetueses.
Osmani konsideron se bllokimi i konstituimit të Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së vetëm një nënkryetari gjatë seancës konstituive cënon në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
“Tutje, bllokimi i konstituimi të Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së vetëm një nënkryetari gjatë seancës konstituive, përderisa Kryesia ka kuorum, do ta cënonte në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës. Sipas nenit 7 të Kushtetutës, rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në vlera dhe parime themelore të tilla si: demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve. Këto vlera nuk janë thjesht elemente normative të listuara në Kushtetutë, por përbëjnë vetë themelin kushtetues dhe shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.
Kujtojmë se këto reagime erdhën pas vendosjes së masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Masa e përkohshme u vendos nga Gjykata Kushtetuese deri me 30 shtator pas ankesës së Listës Serbe pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur nënkryetarin e pestë të legjislativit nga ana e komunitetit serb.