Asociacioni i Komunave kërkon shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka kërkuar Ministrit në detyrë të Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, që të shtyhet afati ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin fiskal 2026. Sipas ligjeve aktuale, komunat janë të obliguara që deri më 30 shtator 2025 të miratojnë buxhetet e tyre në Kuvendet…

Lajme

06/09/2025 11:22

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka kërkuar Ministrit në detyrë të Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, që të shtyhet afati ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin fiskal 2026.

Sipas ligjeve aktuale, komunat janë të obliguara që deri më 30 shtator 2025 të miratojnë buxhetet e tyre në Kuvendet Komunale dhe më pas t’i dorëzojnë ato në Ministri, raporton lajmi.net

Mirëpo, AKK ka vlerësuar se për shkak të fushatës zgjedhore që nis më 13 shtator 2025 për zgjedhjet lokale, ky afat është jopraktik dhe krijon vështirësi në funksionimin e rregullt të kuvendeve komunale.

Në arsyetimin e kërkesës së tyre, Bordi i AKK-së thekson tri çështje kyçe:

Pjesa dërrmuese e anëtarëve të kuvendeve komunale do të jenë të angazhuar në fushatë, çka pengon funksionimin normal të organeve vendimmarrëse.

Është më e qëndrueshme që buxhetet të miratohen pas formimit të kuvendeve të reja, të dala nga zgjedhjet lokale.

Kjo do të siguronte reflektim më të mirë të prioriteteve të kryetarëve të sapozgjedhur, përputhje më të saktë mes programeve zgjedhore dhe planifikimit financiar, si dhe një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës.

AKK kërkon që Ministria të marrë një vendim për shtyrjen e afatit ligjor, duke lejuar që buxhetet komunale për vitin 2026 të miratohen pas konstituimit të institucioneve të reja lokale./Lajmi.net/