Heshtja e Osmanit përballë kritikave ndërkombëtare për moscertifikimin e Listës Serbe – A po e aprovon në heshtje presionin e VV-së ndaj institucioneve?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdon të heshtë përballë një situate serioze politike që ka ngjallur reagime të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë. Pavarësisht se kanë kaluar dy ditë nga vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Osmani ende nuk ka dhënë asnjë…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdon të heshtë përballë një situate serioze politike që ka ngjallur reagime të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë.
Pavarësisht se kanë kaluar dy ditë nga vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Osmani ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike, transmeton lajmi.net
Në një reagim të përbashkët, shtetet e QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë kritikuar vendimin e KQZ-së, duke theksuar se “çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës”. Ata shprehën shqetësimin për përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën politike midis partive që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë.
QUINT ka kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje dhe të gjitha partitë tjera të ndalojnë çdo hap që mund të pengojë regjistrimin e partive politike, duke theksuar se procedurat duhet të jenë në përputhje të plotë me mandatin e KQZ-së. Po ashtu, u bë thirrje që të shfrytëzohen mekanizmat ligjorë si Paneli i Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP).
Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve, duke shprehur zhgënjimin për vendimin dhe veçanërisht për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces. BE theksoi se përfshirja gjithëpërfshirëse në zgjedhje është thelbësore për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
“Partitë që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje përmes një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Në këtë valë reagimesh të forta ndërkombëtare, mungesa e një qëndrimi nga Presidentja Osmani ngjall habi dhe kritikë. Heshtja e saj shihet si një mosangazhim institucional në një moment kur vendi përballet me sfida serioze demokratike dhe me kritika të drejtpërdrejta nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës.
Ndërkohë, Lista Serbe tashmë ka paraqitur ankesë në PZAP pas moscertifikimit nga KQZ. Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ku fillimisht Lista Serbe nuk ishte certifikuar, por PZAP më pas vendosi në favor të saj./lajmi.net/