Zeka: Ngërçi politik mban peng zhvillimin ekonomik

Pasiguria politike dhe mungesa e institucioneve funksionale po dëmtojnë klimën e të bërit biznes në vend. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, sipas të cilit vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së re po e mbajnë peng reformimin ekonomik dhe nxisin pasiguri tek investitorët, raporton KosovaPress.…

Lajme

23/08/2025 15:38

Pasiguria politike dhe mungesa e institucioneve funksionale po dëmtojnë klimën e të bërit biznes në vend. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, sipas të cilit vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së re po e mbajnë peng reformimin ekonomik dhe nxisin pasiguri tek investitorët, raporton KosovaPress.

Në një intervistë për KosovaPress, Zeka nënvizon se mungesa e institucioneve funksionale për më shumë se gjashtë muaj, po pamundëson reformën legjislative që është e domosdoshme për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

“Problemin më të madh këtu e shoh te aspekti i konfidencës së bizneseve. Meqenëse bizneset, qoftë investitorët e brendshëm ose të jashtëm presin derisa të krijohen rrethana të reja, të cilat, nuk reflektojnë pasiguri juridike, situatat aktuale natyrisht që mund të reflektohet një pasiguri të madhe juridike, edhe për investitorët e brendshëm. Askush nuk dëshiron të rrezikojë kapitalin e tij në rrethana të tilla. Tashmë po bëhen mbi gjashtë muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, edhe ne nuk kemi as Kuvend të konstituar e as nuk mund të mendohet krijimi i qeverisë së re. Në rrethana tjera, Qeveria do të ndryshonte ligje, do të shkruante ligje të reja, do t’i dërgonte të njëjtat në Kuvendin dhe Kuvendi do të ndihmonte në procesin e reformimit të mjedisit për të bërë biznes. Këto rrethana aktuale, reforma e mjedisit, të bërit biznes, thjesht nuk është diçka nga të cila mund të presim që të kemi ndonjë sukses”, nënvizon Zeka.

Zeka flet edhe për përkeqësimin e deficitit tregtar në Kosovë, i cili thekson mungesën e politikave fiskale të qëndrueshme gjatë viteve të fundit.

Sipas Zekës, pas vendilmit për liberalizimin e tregut energjetik, mund të ketë zhvendosje të bizneseve ose aktivitetit të prodhimit të tyre në shtetet e rajonit, e cila sipas tij çon në thellimin e mëtejm të degicitit tregtar.

“Nga ajo që po shohim nga të dhënat e Doganës, nga raportet edhe e rregullta të cilat publikohen nga ana e Doganës edhe ASK, po e shohim se ka një përkeqësim për sa i përket deficitit tregtar. Pas vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, reduktimit ose rritjes së kostos së operimit për bizneset prodhuese, largimit të një pjese të tyre, ashtu siç është paralajmëruar, zhvendosjes së aktivitetit të prodhimit të tyre në shtetet e rajonit, pres që deficiti tregtar të thellohet edhe më tej. Baza jonë industriale të reduktohet edhe më tej, aktiviteti i prodhimit vendor, të reduktohet më tej edhe rrjedhimisht në tregun tonë që të ketë rritje të qarkullimit ose rritje të importit nga vendet e tjera…Në katër vite nuk është se kemi pa ndonjë politikë substanciale fiskale”, thotë Zeka.

Ai po kritikon qeverinë në detyrë për neglizhencën në përmbylljen e projekteve infrastrukturore dhe mungesën e investimeve kapitale, duke e cilësuar këtë si humbje për sektorin privat dhe qytetarët.

“Një shqetësim të cilin e kemi thënë tash e sa kohë duke e ditur që investimet kapitale njëra ndër dy shtyllat më të rëndësishme që ndikojnë në rritjen ekonomike e cila ne e kemi pasur përgjatë viteve të fundit, atëherë është pa përgjegjësi, që mos të investohet, që mjetet e tatimpaguesve të mos investohen në projekte kapitale dhe rrjedhimisht shohim multiplikim më të madh ekonomik nga këto investime. Humbet sektori privat, humbet tatimpaguesi qytetar, për aq kohë sa shërbimet ndaj nesh, ndaj tatimpaguesve nuk shënojnë ndonjë përmirësim të dukshëm, po ashtu po shohim një degradim të infrastrukturës fizike ose të mos përmbylljes së disa prej projekteve që kanë pasur në fokus infrastrukturën fizike. Po flasim për nja dy-tri autostradat, të cilat ndoshta gjatë mandatit të parë do të duheshin i inauguruar tashmë”, potencon Zeka.

Përveç kësaj, sipas kreut të kësaj ode, heqja e detyrimeve doganore për tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e importeve dhe forcimin e partneritetit ekonomik mes bizneseve të Kosovës dhe atyre amerikane.

Zeka thekson se ky vendim i Qeverisë së Kosovës do të ketë jehonë pozitive në tregun amerikan dhe mund të hapë rrugë edhe për rritje të eksporteve nga Kosova në të ardhmen.

“Po janë hequr detyrimet doganore për tregtinë me atë shtet të caktuar, atëherë pritshmëritë mund të jenë që tash që do të ketë rritje të importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fuqizimi i raporteve ose partneritetit ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe bizneseve amerikane, pashmangshëm që do të ndikojë në promovimin më të madh të Kosovës në mesin e sektorit privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo mund të qojë edhe në rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, por të njëjtën kohë krijimi i besimit, fuqizimi i besimit ndërmjet bizneseve, këtu edhe bizneseve atje, por natyrisht edhe promovimi i këtij vendimi si një vendim pozitiv, të cilin e ndërmori Qeveria e Kosovës në mbështetje të ekonomisë tonë edhe si mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin po strategjik. Do të ketë jehonë pashmangshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në një të ardhme jo shumë të largët mund të qoj edhe në rritjen e eksporteve të Kosovës, po qe se aq më tepër nëse vendimi i njëjtë pasohet edhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Zeka.

Kujtojmë se, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë, kishte thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, më 1 gusht.