Flasin nga Qeveria e Kosovës për vendimin e KQZ-së: Lista Serbe nuk është parti normale, kryetari i saj de fakto vazhdon të jetë Radoiçiqi
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke e konsideruar atë një vendim institucional të bazuar në realitetin e sigurisë në Kosovë. Ai ka rikujtuar se më 29 qershor 2023, Qeveria e Kosovës kishte shpallur…

Lajme
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke e konsideruar atë një vendim institucional të bazuar në realitetin e sigurisë në Kosovë.
Ai ka rikujtuar se më 29 qershor 2023, Qeveria e Kosovës kishte shpallur organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” si grupe terroriste. “Në atë kohë u patëm kritikuar ashpër, por doli se kishim të drejtë. Kosova është shtet i pavarur dhe Republikë demokratike”, deklaroi Kryeziu, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, Qeveria nuk ka kompetencë për të ndaluar parti politike, përfshirë edhe Listën Serbe. “Është në dorën e Komisionit Qendror Zgjedhor të mos i certifikojë ato, ndërsa prokurorisë e gjyqësorit iu takon të veprojnë me informacionet dhe evidencën e bollshme që posedojnë nga organet e sigurisë dhe inteligjencës.”
Ai për KosovaPress theksoi se Lista Serbe nuk i përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës, por të Beogradit zyrtar. “Strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. Serbët e Kosovës nuk duhet ta kenë dhe nuk mund ta kenë vetëm një parti politike. Ndërkohë që 12 subjekte politike tjera serbe, prej tyre 4 parti politike, 6 iniciativa qytetare dhe 2 kandidatë të pavarur serbë, tashmë janë certifikuar në KQZ për zgjedhjet lokale të tetorit. Është e padrejtë që ato të neglizhohen për hir të Listës Serbe.”
Duke komentuar takimin e sotëm të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Pratipatti, Kryeziu tha se kjo çështje është diskutuar edhe më parë me diplomaten amerikane. “Qëndrimi i kryeministrit Kurti për Listën Serbe dihet. Qëndrimi i tij dhe i subjektit që ai drejton, pra Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është qëndrim i ri. Më 23 dhjetor 2024, dy përfaqësuesit e LVV-së në KQZ kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Prej atëherë, Lista Serbe nuk është bërë më e mirë, përkundrazi.”
Kryeziu përmendi edhe lidhjen e liderëve të kësaj partie me sulmin në Banjskë. “Ka informacione, të dhëna, fakte dhe argumente të shumta që dëshmojnë qartë se Lista Serbe nuk është aspak parti e zakonshme apo normale. Kryetari i saj de fakto vazhdon të jetë Millan Radoiçiq, e për të dhe 44 paramilitarë të tjerë serbë, përveçse fakte të pamohueshme, tashmë ka aktakuzë për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.”
Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, KQZ refuzoi sot certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit./lajmi.net/