Kryeziu: Aktgjykimi është një “arrnim kushtetues”, por mund të kryejë punë
Ish-gjyqtari i Kueshtetueses, Kadri Kryeziu ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një “arrnim kushtetues”, i cili megjithatë mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës institucionale. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka lënë shumë hapësirë për të justifikuar mungesën e një sqarimi të…

Lajme
Ish-gjyqtari i Kueshtetueses, Kadri Kryeziu ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një “arrnim kushtetues”, i cili megjithatë mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës institucionale.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka lënë shumë hapësirë për të justifikuar mungesën e një sqarimi të qartë në aktgjykimin e 26 qershorit, se praktikat parlamentare nënkuptojnë votim të hapur.
“Një përcaktim i qartë më 26 qershor do të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe do të na kursente nga dramat politike të gjashtë javëve të fundit”, tha Kryeziu.
Sa i përket kufizimit të nominimit të një kandidati për kryetar Kuvendi deri në tre herë, Kryeziu vlerëson se Gjykata nuk ka dhënë argumente bindëse juridike.
“Është një zgjidhje procedurale e përkohshme, qëllimmirë, por jo plotësisht bindëse”, tha ai, duke shtuar se përgjegjësia i lihet Kuvendit që në të ardhmen të rregullojë qartë procedurat me anë të Rregullores së Punës.
Duke folur për rrugën e mëtejme procedurale, Kryeziu theksoi se kryesuesi i Kuvendit duhet të thërrasë sa më shpejt seancën konstituive, ku grupi më i madh parlamentar propozon kandidatin e tij.
Nëse një kandidat dështon në tre raunde votimi brenda afatit 30-ditor, grupi duhet të propozojë një emër tjetër, duke e rifilluar procedurën nga e para.
“Edhe pse Gjykata nuk mund të japë zgjidhje juridike për problemet politike të kësaj legjislature, topi është përsëri te deputetët. Aktgjykimi është final dhe partitë politike, sipas traditës, do ta zbatojnë atë në përpikëri”, përfundoi Kryeziu.