Një javë nga kur u vranë tre persona në Gjilan dhe një në Hajvali, katër të dyshuarit vazhdojnë të ikin nga shteti

Kanë kaluar një javë kur Kosova është tronditur nga humbja e pesë jetëve si pasojë e vrasjeve. Tre persona janë vrarë të dielën në Gjilan dhe një në Prizren, ndërsa një tjetër është vrarë sot një javë (të hënën) në Hajvali. Në Gjilan, janë vrarë babë e bir Selami dhe Edmond Hasani si dhe Abedin…

Lajme

18/08/2025 21:02

Kanë kaluar një javë kur Kosova është tronditur nga humbja e pesë jetëve si pasojë e vrasjeve.

Tre persona janë vrarë të dielën në Gjilan dhe një në Prizren, ndërsa një tjetër është vrarë sot një javë (të hënën) në Hajvali.

Në Gjilan, janë vrarë babë e bir Selami dhe Edmond Hasani si dhe Abedin Hoxha, ndërsa është plagosur një person. Të dyshuarit për vrasjen e tyre janë Mefail Shkodra, dhe dy djemtë e tij Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët ende nuk kanë rënë në duart e shtetit.

Menjëherë pas vrasjes, Mefail Shkodra me dy djemtë janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia janë duke i kërkuar brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Ditë më parë, Policia e rajonit të Gjilanit ka thënë se kanë ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë që ndodhi atje mesditën e së dielës së kaluar.

Ata gjithashtu kanë thënë se kanë apeluar edhe përmes mediave që kushdo që ka informacione për ta, të kontaktojë policinë.

Po ashtu policia ka njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe kanë zhvilluar bastisje në vendet ku “kanë besuar” se mund të strehohen të dyshuarit.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe   kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare  që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e policisë në Gjilan.

Në lidhje me rastin, katër zyrtarë policorë janë suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës si të përfshirë në rast.

Vrasja që ka ndodhur në Gjilan raportohet të ketë nisur për shkak të fajdeve, pasi që i dyshuari kryesor për rastin Mefail Shkodra ishte arrestuar në vitin 2024 për fajde dhe detyrim por më pas edhe ishte liruar.

Në arrati, sikurse Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, ndodhet edhe Xhemajl Nuhiu, i dyshuari për vrasjen e Muhamet Matoshit në Hajvali.

Policia e Kosovës ka publikuar fotografi të Xhemajl Nuhiut, si të dyshuar për vrasjen e Matoshit.

Përmes një postimi në Facebook, policia kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin nga qytetarët në ofrimin e informatave të cilat do të ndihmonin në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së tij, na kontaktoni direkt në: E-mail: [email protected] ose në numrin 192”, shkruan në njoftim.

41 vjeçari Muhamet Matoshi vdiq si shkak i plagëve që mori dhe të cilave nuk arriti t’u bëjë ballë.

E siç raportohet arsyeja që çoi deri tek vrasja është tejet banale.

Pas një shkëmbimi fjalësh në mes viktimës dhe të dyshuarit Xh.N, situate ka dalë jashtë kontrollit deri në përdorimin e armës së zjarrit, e që përfundoi tragjikisht me vdekjen e Matoshit në vendin e ngjarjes.

Rastet e fundit të vrasjeve në vend kanë tronditur vendin, ku brenda vetëm një jave janë vrarë tre persona në Gjilan, një në Prizren dhe një në Hajvali.

Ekspertët e sigurisë e kanë parë si të rëndë dhe të rrezikshme, situatën e krijuar me vrasjet në Kosovë. /Lajmi.net/