“Policia nuk u krijua sot” – Ramadani: Dihet kush e ka fyer dhe sulmuar, jo për arsye etnike por politike

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka kujtuar fushatën e vitit 2007 për promovimin e Policisë së Kosovës, me moton “Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj”, të realizuar nga MPB me mbështetje të OSBE-së. Ai ka thënë se në atë kohë u vendosën për herë të parë shtesat për rrezikshmëri për Njësitë Speciale dhe se shumë…

Lajme

12/07/2025 15:50

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka kujtuar fushatën e vitit 2007 për promovimin e Policisë së Kosovës, me moton “Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj”, të realizuar nga MPB me mbështetje të OSBE-së.

Ai ka thënë se në atë kohë u vendosën për herë të parë shtesat për rrezikshmëri për Njësitë Speciale dhe se shumë zyrtarë policorë kanë kontribuar për ndërtimin e një force profesionale.

“Kosova nuk ka lindur sot. Policia nuk është krijuar sot. Dihet kush e ka fyer, poshtëruar dhe sulmuar Policinë – jo për arsye etnike, por për qëllime politike”, shkruan Ramadani.

Ai ngre shqetësime për mungesën e sigurimeve shëndetësore, pagat e ulëta, trajnimet e reduktuara dhe pajisjet e paplota, duke kërkuar mbështetje të plotë për Policinë.

Ky reagim i Ramadanit vjen pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e policisë në Lipjan, javën e kaluar.

Postimi i plotë:

Fushatat për Policinë dihet kush dhe çfarë i ka bërë!
“Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj”
• Shumë punë është bërë për profesionalizimin e Policisë.
Ishte viti 2007. Pra, po flas për 18 vjet më parë.
Po udhëheqja fushatën për promovimin e Policisë së Kosovës (atëherë SHPK), në emër të MPB të sapothemeluar dhe me mbështetje të OSBE-së.
“Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj” e patëm titulluar fushatën. Dhe, të tillë ishin e janë!
Fëmijët e lindur në atë kohë kur ne po bënim fushatën promovuese për Policinë, sot mund të jenë zyrtarë policor. Sepse, kanë mbushur 18 vjet.
Kjo foto është në kuadër të bashkëbisedimin me studentët e UP-së, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Jemi bashkë me oficerët e lartë të Policisë Rifat Marmullaku, Shpend Maxhuni, Fatos Haziri.
Shumë oficerë e zyrtarë policorë kanë kontribuar me gjithçka për të avancuar Policinë.
Në vitin 2007, për herë të parë ishin realizuar Shtesat për Rrezikshmëri për policët, përkatësisht duke filluar me Njësitë Speciale.
Kosova nuk ka lindur sot. Policia e Kosovës nuk është krijuar sot. Respekti për uniformën është në esencën e atdhedashurisë së popullit të Kosovës.
Dihet kush janë ata që nuk e respektuan, fyen, poshtëruan e sulmuan Policinë në vazhdimësi. Edhe vitet e fundit po ashtu! Dhe, të tillët nuk kanë dallime etnike, por kishin dhe kanë qëllime politike!
Fatkeqësisht, policët nuk kanë Sigurime Shëndetësore as sot. Ata dhe ato vuajnë nga pagat më të ulëta, e që rreth 6 vjet më parë kishin pagat më të larta në rajon.
Kohëzgjatja e Trajnimit Bazik është përgjysmuar, sikurse edhe kohëzgjatja e Trajnimit Fushor. Pajisjet individuale të domosdoshme nuk janë të kompletuara, ndërsa ndikimi politik mbi autonominë operacionale të Policisë është konstatuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht amerikanë.
“Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj” meritojnë mbështetje përmbajtjesore, trajnime të vazhdueshme, Sigurime Shëndetësore, autonomi operacionale.