Haradinaj: Kurti e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq, pa të nuk ndryshon gjendja
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Ai komentoi edhe deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Bekë Berisha, i cili sot para fillimit të seancës, tha se do ta votonte këdo që propozon Lëvizja Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, por vetëm në votim të hapur. Haradinaj tha se nuk ka informacione për këtë…

Lajme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike.
Ai komentoi edhe deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Bekë Berisha, i cili sot para fillimit të seancës, tha se do ta votonte këdo që propozon Lëvizja Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, por vetëm në votim të hapur.
Haradinaj tha se nuk ka informacione për këtë deklaratë të Berishës, por e cilësoi si qëndrim të duhur.
“Jo, s’kam informacione, por shumë mirë ka thënë. Do ta shohim kur të vjen momenti,” u shpreh ai, transmeton lajmi.net
Kreu i AAK-së komentoi edhe situatën politike në vend, duke thënë se ajo është e varur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë këtë gjendje pa të. Ai mund ta ndryshojë. Nëse e ka vullnetin për ta ndryshuar, edhe ne jemi për. Kemi dhënë edhe opsione,” tha Haradinaj.
Megjithatë, ai u shpreh skeptik për një zgjidhje nga Kurti.
“Ai e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq,” shtoi Haradinaj.
Sa i përket alarmit të rremë për bombë që ndodhi paraditen e së premtes në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se kjo është çështje e institucioneve të sigurisë dhe se AAK u beson atyre për menaxhimin e situatës./lajmi.net/