Dështimi i 34-të i seancës konstituive të Kuvendit, Haxhiu: Gjykata Kushtetuese është vonuar shumë
Kandidatja e propozuar e VV-së për kryetare të Kuvendit, njëherit ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu është deklaruar për media pas dështimit të 34-të të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka thënë se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimeve nga opozita dhe sipas saj këto parti nuk kanë vullnet për të…

Lajme
Kandidatja e propozuar e VV-së për kryetare të Kuvendit, njëherit ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu është deklaruar për media pas dështimit të 34-të të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimeve nga opozita dhe sipas saj këto parti nuk kanë vullnet për të kontribuar në konstituimin e Kosovës.
“Në këto rrethana vlerësoj se qëndron ajo çka ne kemi thënë në vazhdimësi, kjo është sjellje e papërgjegjshme politike por po ashtu është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Besojmë fuqishëm që është e rëndësishme që secili deputet të jetë i përgjegjshëm për të gjitha përgjegjësitë që ka, pra të votoj për, kundër apo abstenim. Në asnjë moment ne nuk kemi kërkuar që deputetët e opozitës të votojnë për komisionin. Sot ishte hera e 26-të prej 1 majit, kur është vendosur ky komision në votim dhe 26 herë ne kemi parë opozitën teksa ka ardh në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka bërë asgjë. Pra ç’kuptim ka të vijnë ën Kuvend dhe të mos bëjnë asgjë, unë këtë sjellje nuk e kam të qartë përveç se deklaroj se është veprim i papërgjegjshëm politik dhe është shkelje e Kushtetutës.”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë gjithashtu se qëndrimi i VV-së që kuvendi duhet të konstituohet është i qartë, pasi që sipas saj është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me procedura tjera për votimin e Qeverisë së re.
“Në këtë drejtim që nga 15 prilli kur edhe është thirr takimi i parë nga Presidentja Osmani, ne kemi dhënë votën për për gjithçka që ka qenë në rend dite në seancë, edhe për votimin e raportit për mandatin e deputetëve ju e dini që dy herë radhazi deputetët e opozitës nuk e votuan këtë raport duke shprehur mungesën e vullnetit për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit dhe pastaj ndërruan qëndrimin. Nëse ne nuk do ta bënim propozimin për kryetar të Kuvendit kjo do të quhej bllokadë, por ne jemi në të drejtën kushtetuese. Vetëvendosje ka propozuar emrin, nuk i përket partive tjera politike që t’i tregojnë njëra tjetrës se kush duhet të jetë në këto pozicione. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin që të konstituohet Kuvendi, qëndrimi ynë është i qartë. Ndonëse ne jemi për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, nëse ka mungesë për ta bërë këtë nëse ka një refuzim të zgjedhjeve të 9 shkurtit, atëherë vendi duhet të shkoj në zgjedhje por edhe për këtë duhet të konstituojmë Kuvendin”, ka thënë Haxhiu.
Në lidhje me vendimin që po pritet të marr Gjykata Kushtetuese për komisionin për votim të fshehtë, Haxhiu ka thënë se kjo Gjykatë është vonuar pasi që është një çështje e thjeshtë.
“Gjykata Kushtetuese është vonuar, duhet ta themi hapur sepse nuk ka kuptim që një çështje kaq e thjeshtë, që AAK bashkë me PDK dhe LDK e kanë kontestuar komisionin për votim të fshehtë. Pas kësaj, Gjykata ose e trajton nëse kryesuesi i seancës ka pas të drejtë, dhe ne besojmë fuqishëm që ka pasur të drejtë sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese jep mënyra të ndryshme për votim, për, kundër dhe pastaj edhe abstenim dhe letra e Presidentes siç e keni parë thotë që deputetët duhet të gjejnë mënyra për ta konstituuar Kuvendin dhe është në linjë me të dyja këto, ose Gjykata duhet ta shpall të papranueshme. Unë kam thënë që duke mos pas një objekt, Gjykata mund ta shpall të papranueshme këtë lëndë sepse duhet të kishte vendim të Kuvendit për këtë, mirëpo presim vendimin e saj por nuk është në rregull që të vonohet kaq shumë. Është e rëndësishme që sot, nesër, sa më shpejtë ta kemi këtë vendim sepse është e rëndësishme që të vazhdojmë tutje”, ka shtuar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Lajmi.net/