Pamje ekskluzive të qytetarit që dyshohet se u rrah nga zyrtari policor tanimë i arrestuar në Prizren
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundi në Prizren, ku një zyrtar policor raportohet t’i ketë kaluar autorizimet e përcaktuara në kuadër të Policisë së Kosovës duke e rrahur brutalisht një qytetar. Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve njoftoi dje se ka pranuar një informatë nga Prokuroria Themelore në Prizren për tejkalim të…

Lajme
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundi në Prizren, ku një zyrtar policor raportohet t’i ketë kaluar autorizimet e përcaktuara në kuadër të Policisë së Kosovës duke e rrahur brutalisht një qytetar.
Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve njoftoi dje se ka pranuar një informatë nga Prokuroria Themelore në Prizren për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Prizren.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik, e më pas ngjarja kishte marrë kahje tjetër.
Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar zyrtarin policor që ishte përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i të dyshuarit është bërë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
E në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka siguruar pamjet ekskluzive të të lënduarit në këtë rast, e që është qytetari Sefer Fetahu.
Viktima raportohet të ketë pësuar dëme të mëdha nga goditjet fizike që ka marrë në këtë rast.
Nga Prokuroria në Prizren kanë njoftuar se ka kërkuar paraburgim për zyrtarin policor që është arrestuar nën dyshimin për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i rëndë trupor”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se sipas kërkesës “më datë 14 qershor 2025, rreth orës 21:35 min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, i pandehuri R.P., në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor – dyshohet se duke vepruar së bashku me kolegun e tij N.B., gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka keqtrajtuar të dëmtuarin S.F.
“Ngjarja ka ndodhur pasi zyrtarët policorë i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje të dëmtuarit për shkak të parkimit të palejuar, duke e vendosur tiketën e gjobës në xhamin e veturës. Në atë moment, i dëmtuari, i cili ndodhej brenda një kafiterie afër vendit të ngjarjes, ka dalë jashtë dhe ka hedhur gjobën në tokë. Pas kësaj, zyrtarët policorë i kanë kërkuar të dëmtuarit të paraqesë dokument identifikimi, por ai nuk i është bindur urdhrit të tyre. Si pasojë, ata kanë tentuar ta arrestojnë”, theksohet tutje.
Po ashtu u tha se gjatë përpjekjes për arrestim, i dëmtuari ka rezistuar, dhe në një moment, i pandehuri i ka vendosur këmbën të dëmtuarit me qëllim të neutralizimit të rezistencës së tij, me ç’rast kolegu i tij, zyrtari policor N.B., është rrëzuar së bashku me të dëmtuarin, duke rënë mbi të. Ndërsa i dëmtuari ndodhej në pozitë të shtrirë përtokë, dhe gjatë tentativës për ta vënë nën kontroll, i pandehuri e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, përkatësisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Me këto veprime, R.P., ka kryer veprat penale të lartcekura./Lajmi.net/