Lidhja e Bizneseve me kërkesë: Pezullimi i menjëhershëm, për së paku një vit, i vendimit të ZRrE-së për përjashtimin e bizneseve nga tregu i rregulluar

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka dal me një reagim ndaj vendimit të ZRrE-së për përjashtimin e bizneseve nga tregu i rregulluar. Në komunikatën e lëshuar për media, Lidhja e Bizneseve kërkon që vendimi i ZRrE-së të pezullohet për një vit, transmeton lajmi.net Po ashtu, Lidhja e Bizneseve kërkon që sa më shpejtë të formohen…

Lajme

28/05/2025 09:28

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka dal me një reagim ndaj vendimit të ZRrE-së për përjashtimin e bizneseve nga tregu i rregulluar.

Në komunikatën e lëshuar për media, Lidhja e Bizneseve kërkon që vendimi i ZRrE-së të pezullohet për një vit, transmeton lajmi.net
Po ashtu, Lidhja e Bizneseve kërkon që sa më shpejtë të formohen institucionet shtetërore.
Komunikata e plotë:

DEKLARATË E FUQISHME PËR MEDIA

Kriza ekonomike thellohet – kërkohet pezullim njëvjeçar i vendimit të ZRrE-së dhe formim urgjent i institucioneve shtetërore

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) shpreh shqetësimin më të thellë dhe reagimin më të vendosur ndaj përkeqësimit të ambientit ekonomik në vend, si dhe ndaj pasojave serioze që po shkaktohen nga vendime të pamenduara, të cilat po godasin drejtpërdrejt sektorin privat – me theks të veçantë mbi industrinë prodhuese dhe sipërmarrjet vendore.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për përjashtimin e 1,263 bizneseve nga tregu i rregulluar dhe kalimin në një “treg të lirë” që në praktikë është kthyer në monopol energjetik, me çmime të papërballueshme – rritje mbi 260%.

Ky vendim u mor:
pa konsultim me komunitetin e biznesit,
pa vlerësim të ndikimit socio-ekonomik,

dhe në kundërshtim me frymën e ligjit mbi shërbimin universal.

Situata rëndohet edhe më shumë nga:

mosformimi i institucioneve shtetërore, që po bllokon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe qasjen në miliona euro ndihmë dhe investime,
duke lënë bizneset dhe ekonominë vendore të ekspozuar ndaj një krize sistematike dhe të qëllimshme.
KËRKESAT URGJENTE TË LIDHJES SË BIZNESEVE TË KOSOVËS:
Pezullimi i menjëhershëm, për së paku një vit, i vendimit të ZRrE-së për përjashtimin e bizneseve nga tregu i rregulluar, për të mundësuar një tranzicion të drejtë dhe të përballueshëm për ekonominë;
Formimi sa më i shpejtë i institucioneve shtetërore, me qëllim të zhbllokimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rikthimit të stabilitetit institucional dhe financiar;
Krijimi i një tregu realisht konkurrues të energjisë, i bazuar në:
ndalimin e monopoleve të heshtura,
garantimin e çmimeve të arsyeshme për prodhuesit dhe konsumatorët,
lehtësimin e procedurave për investitorët në fushën e prodhimit të energjisë, përmes heqjes së barrierave burokratike, përshpejtimit të licencimeve dhe krijimit të lehtësirave fiskale për energjinë e ripërtëritshme.
Zbatim të reformave fiskale konkrete dhe të targetuara për nxitjen e investimeve, mbështetjen e industrisë prodhuese.
THIRRJE PËR VEPRIM
Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke shkatërruar të tashmen ekonomike. Vendimet që rrënojnë sektorin privat janë vendime që rrënojnë vendin.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës qëndron në mbrojtje të interesit të komunitetit të biznesit dhe bën thirrje për menjëherë reflektim institucional, transparencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim.
Nëse demtohet sektori privat – demtohet ekonomia, buxheti dhe mirëqenia e qytetarëve.
LIDHJA E BIZNESEVE TË KOSOVËS /lajmi.net/