​“Na kanë shkatërruar shtëpinë e gjithçka”, dosja për dëme të luftës dërgohet sërish në Kushtetuese

Organizata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar për herë të trembëdhjetë dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme që kishte refuzuar paditë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë, raporton KosovaPress. Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta tha…

Lajme

22/05/2025 11:29

Organizata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar për herë të trembëdhjetë dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme që kishte refuzuar paditë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë, raporton KosovaPress.

Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta tha se gjykatat në Kosovë nuk janë duke i zbatuar ligjet përkatëse për të cilat janë kompetente, derisa përmendi Ligjin për procedurën kontestimore.

“Që 17 vite jemi duke punuar ditë e natë për të gjitha palët e dëmtuara më cilësinë e viktimave të luftës, me një të vetëm kundër qeverisë së Serbisë për kompensim të dëmeve. Sot është e trembëdhjeta herë që i dorëzojmë dosjet këtu. Gjykatat e rregullta dhe Supremja nuk janë duke i zbatuar ligjet përkatës për çka janë të thirrur dhe janë kompetent. Ligji për procedurën kontestimore. Është neni 28 alinea 2, gjykatat aty thirren. Aty apostrofohen se lëndët me element ndërkombëtar duhet pasur marrëveshje paraprake për t’i shqyrtuar. Por i njëjti nen 28, alinea 3 thotë edhe pa pasur fare marrëveshje juridike gjykatat tona janë të obliguara ta shqyrtojnë”, tha Bejta.

Bejta tha se përgjatë këtyre viteve prej kur po dërgohen këto dosje, gjykatave është duke u cilësuar kërkesa të papranueshme.

Ai përmendi nenin 53 të Kushtetutës që sipas tij i obligon gjykatat, përfshirë atë Kushtetuese, që aktet e veta t’i harmonizojnë me vendimet e Gjykatës Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Bejta tregoi se deri më tani kanë arritur t’i mbledhin mbi një mijë dosje sa i përket dëmeve të shkaktuara gjatë luftës, transmeton KosovaPress.

“Gjatë këtyre viteve, përgjigja është kërkesa sikur të papranueshme. Gjykata Kushtetuese nuk është duke shqyrtuar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të vendimit të Gjykatës Supreme. Përndryshe do ta gjejë se gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje…Gjykata Kushtetuese është duke e shkelur Kushtetutën. Është neni 53 që definon se jo që ka të drejtë, por gjykatat tona, përfshirë edhe Kushtetuesen jo që kanë të drejtë por kanë obligim që aktet e veta t’i harmonizojnë me vendimet e Gjykatës Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut në Strasburg… Sasia e dosjeve, ne i kemi mbi një mijë dosje, mbi 110 dosje që janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, përgjigja është e njëjtë. E dinë që Kosova nuk është në Këshillin e Evropës, shumë afër kemi qenë vitin e kaluar të anëtarësohemi. Nuk po kemi të drejtë t’i përcjellim në Strasburg ndaj ato po ndalen këtu”, u shpreh Bejta.

Ndërkaq, pala paditëse kësaj here ishte Muhamet Fejza nga fshati Vajnikë i Skenderajt.

Ai tha se lufta e fundit në Kosovë i ka shkaktuar shumë dëme, duke përfshirë shkatërrimin e shtëpisë dhe lokalit.

“Dëme të mëdha kanë qenë, lokalin na e kanë shkatërruar. Shtëpitë na i ka ë shkatërruar, traktorët na i kanë marrë. Gjithçka që kemi pasur e kanë shkatërruar”, tha Fejza.

Organizata “Ngritja e Zërit”, që nga viti 2008, ka ndërmarrë veprime ligjore për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta, duke përfshirë dëme në njerëz dhe pronë.

Deri më tani, kjo organizatë ka hartuar dhe dorëzuar rreth 1 mijë kërkesëpadi në gjykata në shumicën e komunave të Kosovës. Megjithatë, të gjitha këto padi janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se një shtet tjetër nuk mund të paditet në këto rrethana.