Zgjedhjet në Shqipëri: 241 647 zarfe të dërguara për votuesit nga jashtë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga KQZ, deri sot ora (13:50) janë dorëzuar 241 647 zarfe, 58 128 janë marrë nga zgjedhësit, ndërsa…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga KQZ, deri sot ora (13:50) janë dorëzuar 241 647 zarfe, 58 128 janë marrë nga zgjedhësit, ndërsa 8 367 kanë mbërritur në KQZ.
Sipas KQZ, deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarë nga 10 qarqe të vendit, për shtetasit shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Numri më i madh i fletëve të votimit të shpërndara i përket qarkut të Tiranës me 51 520, Fierit 31 752, Elbasanit 25 022, Durrësit 24 872 e më pas në qarqe të tjera.
Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 89 723 zarfe, në Greqi 67 165, në Gjermani 25 062, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 274, në Mbretërinë e Bashkuar 16 913 etj.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.
Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill.
Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë këshillohet ta dërgojë atë në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ.