Dorëheqja “simbolike”- Vazhdojnë të dalin në zyre e të përfitojnë nga benefitet e qeverisë e sot kërkuan të betohen edhe si deputetë

Seanca e Kuvendit të Kosovës që parashihej të nis në ora 10:00, nisi me vonesë- por pavarësisht kësaj nuk është se brenda saj u realizua ndonjë punë e madhe. Madje seanca konstituive e ndër më të rëndësishmet në vend dështoi krejtësisht. Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari njoftoi se pas një…

Lajme

15/04/2025 13:46

Seanca e Kuvendit të Kosovës që parashihej të nis në ora 10:00, nisi me vonesë- por pavarësisht kësaj nuk është se brenda saj u realizua ndonjë punë e madhe.

Madje seanca konstituive e ndër më të rëndësishmet në vend dështoi krejtësisht.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari njoftoi se pas një pauze të shkurtër ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandatave.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si të veprohet në të ardhmen”, tha ai.

E kjo situatë e krijuar e që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë e vë vendin në një “bllok” të hershëm.

Tashmë nuk dihet nëse presidentja Vjosa Osmani do të thërrasë seancën e radhës brenda 48 orëve sic edhe parashihet, apo kjo situatë më pas do të mbetet në duart e Gjykatës Kushtetuese.

Por çfarë e çoi seancën drejt ndërprerjes?

Mos-dhënia dorëheqje nga postet drejtuese qeveritare të Albin Kurtit dhe ministrave të tij.

Anipse sot u shfaq një dokument ku Albin Kurti kishte njoftuar sekretariatin e Kuvendit për dorëheqje- i njëjti ka vazhduar që të dalë në zyre, njësoj si ministrat e tij.

“I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ më 27 mars 2025 dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar.Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”,thuhej në letër.

Por kjo “dorëheqje” e Kurtit nuk është se i bindi përfaqësuesit e partive politike sot në Kuvend që të votojnë Komisionin për verifikimin e mandatave të deputetëve. Këta të fundit nga partitë politike si LDK, PDK , AAK refuzuan që të votojnë pasi sipas tyre e gjithë kjo do të ishte shkelje e Kushtetutës.

Sipas tyre “dorëheqja” që e paraqiti Kurti nuk vlen pasi që Kurti bashkë me ministrat kanë vazhduar punën e tyre po njësoj duke dalë në zyra e duke përfituar nga postet. Sipas tyre Kurti bashkë me ministrat duhet të largohet krejtësisht nga postet qeveritare në mënyrë që të mund të betohen si deputet e jo të përfitojnë edhe nga posti qeveritar edhe ai në Kuvend.

Madje se këtë po e bëjnë e pranoi hapur edhe Faton Peci që drejton ministrin e Bujqësisë.

“Pavarësisht që kemi dhënë dorëheqje kthehem në zyre të ministrit për shkak se largimi do të mund të krijonte mundësinë e një hendeku të madh e nesër mund të thotë dikush se kemi bërë vepër penale deri në tradhti kombëtare”,tha ai.

E pikërisht gjatë gjithë kësaj kohe, Kurti dhe ministrat kanë vazhduar të ushtrojnë postet e tyre duke u paguar e duke përfituar nga të gjitha benefitet që iu jepen nga këto pozita.

Të njëjtit janë gjendur çdo ditë në zyrat përkatëse madje edhe duke marrë vendime.

E kundër kësaj dolën hapur nga opozita- të cilën edhe thonë se në momentin që do të nënshkruanin sot në Kuvend për raportin e komisionit për verifikimin e mandatave do të bënin shkelje të hapur kushtetuese që më pas do të mund t’ua përdornin.

Në lidhje me këtë situatë folën edhe Memli Krasniqi nga PDK dhe Lumir Abdixhiku nga LDK. E ndryshe nga këto parti politike votoi në Kuvend , Nisma socialdemokrate.

Nisma në fakt nuk e kundërshtuan këtë raport të komisionit.

Siç u raportua Nisma dhe Vetëvendosje kanë përafruar qëndrimet s ai përket një koalicioni të mundshëm. Madje Fatmir Limaj u përmend edhe si propozim i mundshëm nga VV-ja për Kryeparlamentar.

Tanimë mbetet të shihet se cila do të jetë thirrja tjetër për seancë konstituive dhe a po shkohet drejt një bllokade të mundshme institucionale./Lajmi.net/

Krasniqi: Jemi krejt deputetë e s’dihet kush është opozitë, logjika e VV-së për shkelje të Kushtetutës nuk kalon në Kuvend

Abdixhiku: Vetëvendosje me veprime jo-kushtetuese po e zvarrit procesin- komunikojnë me mesazhe për bërjen e votave nga Lista Serbe

Kurti rikthehet në “opozitarë” dhe godet partitë duke i krahasuar me Listën Serbe: Ky është sulm brenda institucional kundër Kosovës