Halil Matoshi akuzon Vetëvendosjen për shpifje: Më paraqitën duke folur me paramilitarë serbë
Gazetari dhe publicisti kosovar, Halil Matoshi, ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje të vjetër, që sipas tij, është keqpërdorur për ta sulmuar dhe për ta paraqitur si bashkëpunëtor të paramilitarëve serbë. Matoshi ka sqaruar se videoja është pjesë e një dokumentari të vitit 1989, realizuar nga regjisori slloven Iztok Tory, për jetën e…

Lajme
Gazetari dhe publicisti kosovar, Halil Matoshi, ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje të vjetër, që sipas tij, është keqpërdorur për ta sulmuar dhe për ta paraqitur si bashkëpunëtor të paramilitarëve serbë.
Matoshi ka sqaruar se videoja është pjesë e një dokumentari të vitit 1989, realizuar nga regjisori slloven Iztok Tory, për jetën e shqiptarëve nën terrorin serb. Në pamjet e shkëputura nga dokumentari, shfaqen edhe personalitete si Mirko Gashi, Astrit Salihu dhe Migjen Kelmendi, duke folur për një televizion slloven kundër shtypjes së atëhershme.
Ai ka akuzuar militantët e Vetëvendosjes për shpërndarjen e videos, duke thënë se qëllimi ishte ta diskreditonin publikisht.
“E këputën një copë nga dokumentari i shfaqur më 1989 dhe ua hodhën militantëve rrugaçë e të pafytyrë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbishkrimin: ‘Halil Matoshi duke folur me paramilitarë serbë gjatë Luftës së Kosovës!?’”, ka shkruar Matoshi.
Ironikisht, regjisori i dokumentarit, Iztok Tory, ka ndërruar jetë sot, dhe kryeministri Albin Kurti e ka përkujtuar me respekt. Megjithatë, Matoshi ka kritikuar Kurtin, duke thënë se ai nuk ka kërkuar falje për sulmet dhe denigrimet që janë bërë për vite ndaj personazheve të këtij dokumentari.