Protesta për mbylljen e TikTok, Berisha: Manifestim kundër censurës për lirinë e fjalës
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur sot për gazetarët pas përfundimit të protestës kundër mbylljes së platformës TikTok në Shqipëri. Berisha e quajti këtë protestë një “manifestim të jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe të mendimit”. “Ju i dëgjuat fjalët e tyre, fjalë që buronin…

Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur sot për gazetarët pas përfundimit të protestës kundër mbylljes së platformës TikTok në Shqipëri.
Berisha e quajti këtë protestë një “manifestim të jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe të mendimit”.
“Ju i dëgjuat fjalët e tyre, fjalë që buronin nga shpirti i tyre i lirë, që buronin nga zemra te tyre rinore. Sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTok-ut, por një armik i egër i lirisë, armik i egër i të rinjve shqiptarë. Ia thanë të gjitha të rinjtë. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalime kaq të bukura, fjalimeve kaq kuptim të thellë, fjalime me kaq pasion sa dëgjova sot në këtë shesh. Ishte dita e tyre, ishte fjala e tyre dhe unë u mrekullova nga fjalët që mbajtën”, tha ai.
Sipas Berishës, “nga protesta e sotme shqiptarët dëgjuan thirrjen më fisnike, më magjepsëse dhe pasiononte”.
“Fjalë të tilla për fjalën e lirë janë të denja për të gjitha kohërat. Për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Gjithçka do e vendosin të rinjtë. Ishte protesta e tyre siç e patë ju. Unë isha një pjesëmarrës në këtë miting që për nga cilësia, po u garantoj, krahasohet me mitingun e datës 11 dhjetor 1990 kur studentët liberatorë u kthyen nga pallati presidencial dhe erdhën fitimtar në sheshin e Qytetit Studenti. Dhe aty ata mbajtën fjalët më mbresëlënëse që unë kam dëgjuar ndonjëherë. Pra, tani të themi, në 35 vjet, këto ishin fjalimet më mbresëlënëse për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët. Të rinjtë e fituan betejën sonte”, tha Berisha.