Premtime të mëdha për shëndetësinë, por pa plane konkrete
Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore dhe i Sistemit Informativ Shëndetësor, ndërtimi i spitaleve të reja, digjitalizim i sistemit shëndetësor, ndërtimi i një qendre të re spitalore e krijimi i një rrjeti të laboratorëve, janë vetëm disa nga premtimet që kandidatët për kryeministër vazhdojnë t’i paraqesin para qytetarëve të Kosovës në këto ditë fushate. Megjithatë, njohës të…
Lajme
Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore dhe i Sistemit Informativ Shëndetësor, ndërtimi i spitaleve të reja, digjitalizim i sistemit shëndetësor, ndërtimi i një qendre të re spitalore e krijimi i një rrjeti të laboratorëve, janë vetëm disa nga premtimet që kandidatët për kryeministër vazhdojnë t’i paraqesin para qytetarëve të Kosovës në këto ditë fushate.
Megjithatë, njohës të kësaj fushe vlerësojnë se partitë politike edhe gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë treguar se nuk e kanë prioritet sektorin e shëndetësisë.
Derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje zotohet për ndërtimin e spitalit të ri në Ferizaj dhe Mitrovicë, poliklinika në gjashtë komuna, e shtim buxheti për listën esenciale deri në 100 milionë euro, Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj qeverisës ka ndërtimin e një qendre të re spitalore, decentralizimi i SHSKUK-së, pajisje të reja shëndetësore e reduktim të listës së pritjes për pacientët.
Kurse, disa nga premtimet e Partisë Demokratike të Kosovës për këtë sektor janë 100% rritje të buxhetit për blerjen e barnave esenciale, 50% rritje të pagave për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor, barna falas për të moshuarit me sëmundje kronike dhe të prekurit me kancer, funksionalizim të Sigurimeve Shëndetësore dhe digjitalizim të sistemit shëndetësor. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me NISMA-në, premtojnë strategji për reformë të thellë në gjithë sistemin shëndetësor, mjekun familjar, plan për rivitalizim të QKUK-së, buxhet dy vjeçar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe autonomi të plotë për spitalet regjionale.
Fokusin te sigurimet shëndetësore e SISH e kanë edhe Koalicioni për Familjen.
Njohësi i politikave shëndetësore, Liridon Bllaca thotë se subjektet politike nuk janë serioze karshi këtij sektori. Sipas tij, premtimet në aspektin shëndetësor nuk janë konkrete.
“Nuk po shoh shumë prioritet te premtimet e partive politike, të cilat po nja shfaqen neve në ekrenet televizive. Kryesisht premtimet po janë në aspektet ekonomike, të cilat po theksohen se do të kemi rritje kaq. Mirëpo, sa i përket shëndetësisë nuk po shoh premtimet të cilat janë konkrete, kemi premtime që thonë do të fillojmë ta zbatojmë listën e barnave…Kjo na lë me nënkuptua se nuk janë serioz dhe as nuk e kanë prioritet sektorin e shëndetësisë në Kosovë“, theksoi ai.
Bllaca duke komentuar disa nga programet e partive politike për shëndetësi, thekson se po premtohet funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore, SISH-it, fuqizim i QKUK-së, si dhe krijimi i një qendre të re spitalore.
“PDK i ka gjithsej 13 pretimet edhe në këto 13 premtime në programin e tyre nuk shoh diçka konkrete. Kanë përmendur digjitalizimin e sistemit shëndetësor, kanë përmendur edhe funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore dhe sistemit e informimit shëndetësor, megjithatë nuk ka plan konkret të shkruar se si do ta zbatojnë njëri prej këtyre të dhëna.…LDK i ka gjithsej 7 premtime, premtimi i parë që ky subjekt po krenohet në vazhdimësi është themelimi i një qendre të re spitalore. Në programin e tyre theksojnë se kjo qendër do t’i kushtoj buxhetit të shtetit 500 milionë euro….Lista për familjen e ka programin për shëndetësi dhe gjithashtu se nuk do ta ndërtojnë një qendër të re spitalore siç e përmend LDK po do ta fuqizojë QKUK”, tha ai.
Në anën tjetër, Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve konsideron se asnjë parti politike nuk po flet për ndryshime në sistem.
Sipas kryetarit të PRAK-ut, Besim Kodra përgjatë këtyre tri javëve fushatë janë premtuar investime me kosto të lartë, por të cilat kanë impakt të vogël në mirëqenien e pacientit.
“Edhe në këtë fushatë po shohim se premtimet kanë marrë pak një tjetër formë, investimet po parashihen më të mëdha, por asnjëri nuk po flet për ndryshime sistematik në sistem. Kryesisht kanë investime të fragmentuara që nuk ndikojnë kumeditë sa pozitivisht. Diçka më interesante që më është dukur ka qenë te programi i LDK me ndërtua një QKU dhe nuk mund të them se a është diçka e mirë apo e keqe, mirëpo me fol për ndërtimin e një institucioni aq të madh gjysmë miliardë euro, e mos me fol se si ka me u rregulluar sistemi në përgjithësi e aq më tepër ai institucion në veçanti, mendoj se është diçka e gabuar.. Të gjitha partitë politike premtojnë diçka që ka kosto shumë të madhe, por impakt të vogël, nuk premtojnë diçka që ka kosto të vogël e impakt të madh, siç mund të jetë promovimi shëndetësor”, theksoi ai.
Kodra madje potencon se programet aktuale të partive politike për shëndetësi, janë thuajse ato të kaluarat me ndonjë përditësim të vogël.
“Janë programet e kaluara vetëm me një update shumë të vogël, nuk ka diçka inovative që kam parë përveç këtë që e kam parë tek programi i LDK-së që në parim është kogja vështirë i realizueshëm, por edhe nëse realizohet është e rëndësishme që ne më shumë të flasim si kam me u organizua ky institucion dhe si ka me u organizua komplet sistemi shëndetësor. Çka ka me ndodh me spitalet rajonale, çka ka me ndodh me kujdesin parësor shëndetësor”, theksoi ai.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka nisur më 11 janar 2025