Qytetarët me mendime të ndryshme se kush do t’i fitoj zgjedhjet e 9 shkurtit
Qytetarët e Kosovës kanë bindje të ndryshme se kush do ta udhëheqë vendin pas 9 shkurtit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Disa vlerësojnë që kryeministri aktual i cili është edhe kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti do të vazhdoj të qëndroj në këtë pozitë, por të…
Lajme
Qytetarët e Kosovës kanë bindje të ndryshme se kush do ta udhëheqë vendin pas 9 shkurtit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Disa vlerësojnë që kryeministri aktual i cili është edhe kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti do të vazhdoj të qëndroj në këtë pozitë, por të tjerë konsiderojnë se duhet të rikthehen partitë opozitare në pushtet.
Qytetari i komunës së Podujevës, Bejtush Namani beson që edhe një mandat për të qeverisur me vendin do ta fitoj Lëvizja Vetëvendosje.
Madje, ai thotë se po të kishte mundësi partitë e tjera asnjëherë nuk do t’i rikthente në pushtet.
“Sipas dëshirës time do doja të fitonte Vetëvendosja. Nëse do kisha mundësi partive tjera do ua shuaja votat, por nuk kam mundësi sepse do doja që partitë e mëparshme mos të kthehen më në pushtet. Fëmijët e mi i kanë nga dy fakultete të përfunduar kanë shkuar jashtë, atëherë nuk kam mëshirë ndaj këtyre që kanë qenë e tani me merita të tij do doja ti fitonte mbi 50%”, ka deklaruar ai.
Por, ndryshe nga Namani, Ilmi Mulliqi po ashtu qytetar i Podujevës fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Unë LDK-në e zgjedhi fituese. Punon më mirë dhe kontribuon më mirë, na e pamë se çka bëri për katër vjet”, ka thënë Mulliqi.
E për Fazli Ukën, ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është me rëndësi se kush do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve.
“Jam invalid i luftës, po them cila të fitoj mirë është, nuk di më shumë çka mundem me thënë… Jam ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plagosur dhe e marr një pagë të veteranëve. Nuk kam dhënë gjakun për të ma marr pagën. Mirëseardhje secila që fiton”, ka deklaruar ai.
Se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdoj edhe një mandat qeverisës e thotë edhe ish i burgosuri politik nga komuna e Obiliqit, Rasim Thaçi.
Për Thaçin lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri aktual, Albin Kurti po mendon për të mirën e kombit, prandaj beson se duhet ta ketë edhe një mandat.
“Dihet se kush ka me fitua Kurti po kush, s’ka kush tjetër…Nuk është korruptua edhe po i ndjek ata që janë korruptua dhe ai fiton. Për komb ai po mendon, asnjë të tjerët nuk kanë mendua 20 vite shkel e shko”, tha ai.
Por, mendim tjetër ndan Nasuf Gashi po ashtu nga komuna e Obiliqit. Duke e konsdieruar si partinë më të mirë, Gashi beson se fituese në këtë garë zgjedhore do të jetë Partia Demokratike e Kosovës.
“Ma merr mendja që ka me fitua PDK-ja…Se PDK është më e mira”, thotë ai.
Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar, më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt. Në garë për këto zgjedhje janë 28 subjekte politike.