Zgjatet afati që mbrojtja e Shalës të dorëzojë njoftimin për apel kundër urdhrit për zhdëmtim
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për zgjatjen e afatit që mbrojtja e Pjetër Shalës të dorëzojë njoftimin për apel kundër urdhrit për zhdëmtim i cili obligon të pandehurin që t’i paguaj 208 mijë euro dëmshpërblim për viktimat. Sipas vendimit të 14 janarit 2024, kërkesa e Shalës është dorëzuar…
Lajme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për zgjatjen e afatit që mbrojtja e Pjetër Shalës të dorëzojë njoftimin për apel kundër urdhrit për zhdëmtim i cili obligon të pandehurin që t’i paguaj 208 mijë euro dëmshpërblim për viktimat.
Sipas vendimit të 14 janarit 2024, kërkesa e Shalës është dorëzuar më 10 janar ku kishte kërkuar që afati për paraqitjen e njoftimit për apel kundër këtij urdhri të zgjatet deri më 28 janar 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aty thuhet se Shala ka pretenduar se zgjatja e kërkuar do të shkaktonte një vonesë minimale në procedura dhe nuk do të dëmtonte në asnjë mënyre prokurorinë ose mbrojtësin e viktimave.
Si rrjedhojë, turpi gjykues ka urdhëruar zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimit për apel si për mbrojtjen e të pandehurit ashtu edhe për të akuzuarit deri me 28 janar 2025.
Ndryshe, më 2 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguaj 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.
Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.