Kurti harron hetimet që po bëhen nëpër institucione: Korrupsioni nuk listohet më si problemet më të mëdha të pushtetit
Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij dhe masat që kanë ndërmarrë si ekzekutiv korrupsioni nuk listohet si një ndër problemet më të mëdha të pushtetit siç ishte gjatë kohës së qeverisjeve paraprake. Ai madje tha se deri në fund të këtij viti Kosova do ta ketë edhe Strategjinë Kundër…
Lajme
Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij dhe masat që kanë ndërmarrë si ekzekutiv korrupsioni nuk listohet si një ndër problemet më të mëdha të pushtetit siç ishte gjatë kohës së qeverisjeve paraprake.
Ai madje tha se deri në fund të këtij viti Kosova do ta ketë edhe Strategjinë Kundër Korrupsion.
Këto komente shefi i ekzekutivit kosovar i bëri në Konferencën Rajonale “Praktikat më të Mira për Parandalimin e Korrupsionit – nga Politika në Veprim Rajonal për Parandalimin e Korrupsionit”, të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim-UNDP.
Kurti tha se korrupsioni endemik e sistematik që shtrihej në tërë institucione publike me qeverisjen e tij është ndaluar.
Ai tha se gjatë qeverisjeve të kaluara korrupsioni ishte i struktura duke filluar nga institucionet më të të larta vendore.
“Këto tashmë i kemi ndalur, këto më nuk do të kthehen dhe ajo epokë e zymtë për Kosovën ka përfunduar. Pas vetëm një qeverisje të suksesshme u patëm e rritur në 20 numra në indeksin e performancës….tani më korrupsioni nuk listohet si një ndër problemet më të mëdha të pushtetit siç ishte gjatë kohës së qeverisjeve paraprake….kemi liruar veriun e vendit tonë nga bandat kriminale të cilat mbështeteshin dhe financoheshin e dirigjoheshin nga pushteti serb dhe terrori mbi qytetarët ka marr fund. E kemi hapur veriun për zhvillim ekonomik përmes hapjes së bizneseve të reja”, tha ai.
Sipas shefi të ekzekutivit kosovar me hyrjen në fuqi t Byros për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përgjegjësi do të japin ata që janë pasuruar në dëm të popullit.
Edhe nga kjo tryezë, kryeministri Kurti shprehu pakënaqësitë e tij për punon e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në Kosovës.
“Për fat të keq e në dëm të shtetit të Kosovës, sistemi gjyqësor dhe prokurorial nuk mund të zhvillohet me hapat e zhvillimit me të cilët po ecë Qeveria e Kosovës dhe shteti ynë demokratikë. Ende ballafaqohemi me hetime jo efikase, aktakuza të dobëta, aktgjykime liruese kundrejt krimit e për më keq dënime të buta ndaj dhunuesve dhe kriminelëve…ne duam gjyqësor të pavarur e profesional dhe prokurori të ndershme e aktive, por pavarësia nuk nënkupton mungesë të llogaridhënies, gjyqësori nuk është i pavarur nga shteti , është i pavarur nga shtyllat tjera të pushtetit”, tha ai.
Deri tani Kosova nuk ka strategji kundër korrupsion, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se deri në fund të vitit do ta kemi një dokument të tillë i cili parasheh edhe digjitalizimin.
“ Digjitalizimi siguron transparencën e proceseve, llogaridhënien e zyrtarëve, por gjithashtu edhe cilësinë e shërbimeve. Nëpërmjet digjitalizimit ne arrijmë objektivitet në sistem ashtu që për vepra përafërsisht të njëjta në kontekste përafërsisht të ngjashme nuk do të kemi gjykime të ndryshme e ndëshkime edhe më të ndryshme…Edhe Kosova do t’i digjitalizoj shërbimet për qëllim të transaprencës së plotë. Me miratimin e strategjisë shtetërore kundër korrupsion deri në fund të vitit do të nisim së bashku këtë mision reformë themelore në gjyqësor e prokurim publik përmes digjitalizimit dhe transparencës për efikasitet dhe llogaridhënie”, tha ai.