Përfundon intervistimi disa orësh i ministres Rivanolli nga Prokuroria Speciale, flet avokati

Ka përfunduar intervistimi disa orësh i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli nga Prokuroria Speciale. Para pak minutave ministrja Rizvanolli bashkë me avokatin e saj, Artan Qerkini janë parë duke u larguar nga objekti i Prokurorisë Speciale. Ministrja nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me intervistimin, kurse avokati theksoi se ajo u intervistua në cilësinë…

Lajme

12/11/2024 13:24

Ka përfunduar intervistimi disa orësh i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli nga Prokuroria Speciale.

Para pak minutave ministrja Rizvanolli bashkë me avokatin e saj, Artan Qerkini janë parë duke u larguar nga objekti i Prokurorisë Speciale.

Ministrja nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me intervistimin, kurse avokati theksoi se ajo u intervistua në cilësinë e dëshmitares.

“Ministrja është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares. Prokurori e ka lexuar një paralajmërim që për shkaqe të hetimeve detajet e hetimeve nuk duhet të bëhen publike ngase çdo publikim paraqet vepër penale”,tha Qerkini, shkruan lajmi.net.

Ai theksoi se “më shumë se kaq s’mund t’ju themi”.

“Pra është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares”, përsëriti ai.

Nga Prokuroria po ashtu kanë deklaruar se ministrja Rizvanolli u ftua në intervistim në lidhje me një hetim që po bëhet në kuadër të kësaj prokurorie.

Sipas raportimeve të para, ministrja Rizvanolli u ftua për intervistim në lidhje me hetimet që po bëhen për keqpërdorimet në KEK gjatë kohës kur KEK-u drejtohej nga Nagip Krasniqi.

Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), sipas Dosjes se Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), akuzohet se KEK-ut i ka shkaktuar dëm mbi 3.2 milionë euro dhe mbi 500 mijë euro shmangie tatimore në dem të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.

Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro./Lajmi.net/