Therja e katër personave mbrëmë në Ferizaj -Detajet që dihen deri më tani
Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në Ferizaj, ku katër persona u theren me thikë nga një burë i moshës 59 vjeçare. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, në rrethana që mbesin ende të paqarta. Në lidhje me këtë rast nga Policia e Kosovës u tha se…
Lajme
Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në Ferizaj, ku katër persona u theren me thikë nga një burë i moshës 59 vjeçare.
Policia njoftoi se ngjarja ndodhi në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, në rrethana që mbesin ende të paqarta.
Në lidhje me këtë rast nga Policia e Kosovës u tha se tashmë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për kapjen e të dyshuarit.
Personat që janë therur janë dy femra nën moshën 18 vjeç, dhe dy meshkuj të moshave 29-32 vjeç.
Të lënduarit menjëherë pas ngjarjes janë dërguar për ndihmë mjekësorë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e pas kësaj dy prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, derisa dy të tjerët trajtimin e kanë vazhduar në Ferizaj.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë Njësinë e Reagimit të Shpejtë, kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 arritën që në rrugën ‘Riza Matoshi,’ në afërsi të qendrës tregtare ‘Plus Market,’ të arrestojnë të dyshuarin E.S., rreth 59 vjeçar”, u tha tutje nga Policia.
Gjithashtu u bë e ditur se i dyshuari është shoqëruar për në stacionin e policisë në Ferizaj, nën masa të shtuara të policisë.
Tutje u konfirmua se hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke analizuar vendet e incidentit dhe kanë gjetur një mjet të mprehtë, që besohet të jetë përdorur gjatë sulmit.
Kurse drejtori i Klinikën Emergjente, Naser Syla deklaroi se një vajza 10 vjeçare e cila ishte viktimë e këtij rasti ndodhet në gjendje stabile, ndërkohë që një nga pacientët e tjerë që janë transferuar në QKUK mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjike.
“Fëmija 10-vjeçare është në gjendje më të rëndë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente, ndërkaq më vonë është futur në sallën e operacionit. Gjatë kohës së intervenimit dhe gati para përfundimit, gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, kishte deklaruar Syla.
Ai po ashtu dha detaje për dy viktimat e tjera të shtrira në QKUK.
“Dy rastet e tjera kanë qenë stabile”,deklaroi ai.
Në lidhje me këtë rast pati edhe reagime të shumta nga zyrtarë shtetërorë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shprehu mirënjohje për stafin e QKUK-së për intervenimin e shpejtë në këtë rast.
“Falë reagimit të shpejtë nga Klinika Emergjente, dëgjova lajmin e mirë se gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e personave të tjerë është kryesisht stabile, përveç personit i cili pavarësisht që është në ri-animin këtu, mund të ndodh që të ketë nevojë edhe për një intervenim kirurgjik”, u shpreh Vitia.
Kurse kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh i tronditur nga ky rast.
Përmes një postimi në Facebook ai ka përgëzuar policinë për arrestimin e shpejtë të të dyshuarit, derisa është lutur për shërimin e shpejtë të të lënduarve.
“Kryesi i këtij akti kriminal, brenda pak minutave është vënë nën prangat e Policisë. Tani drejtësia do të thotë fjalën e saj. Lutemi për shërimin e shpejt të të lënduarve! Përgëzime Policisë së Kosovës në Ferizaj për reagimin e shpejt e me profesionalizëm të lartë, duke shmangur zgjerimin e mëtejmë të këtij akti kriminal”, ka shkruar Aliu në Facebook. /Lajmi.net/