Ligji për ndërmarrjet publike vlerësohet si më i rëndësishmi për trajtim
Akterë nga shoqëria civile, përfaqësues nga ndërmarrjet publike bashkë me deputetë nga pozita dhe opozita, kanë diskutuar të martën sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike. Të njëjtit kanë dhënë propozimet dhe vërejtjet e tyre sa i përket këtij ligji, derisa nga partia në pushtet e konsiderojnë si një ndër ligjet…
Lajme
Akterë nga shoqëria civile, përfaqësues nga ndërmarrjet publike bashkë me deputetë nga pozita dhe opozita, kanë diskutuar të martën sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike.
Të njëjtit kanë dhënë propozimet dhe vërejtjet e tyre sa i përket këtij ligji, derisa nga partia në pushtet e konsiderojnë si një ndër ligjet më të rëndësishme i cili ka pasur nevojë të trajtohet edhe në kuadër të spektrit ligjor të saj.
Nga ana tjetër, nga Autoriteti i Konkurrencës në funksion të kësaj kanë propozuar që të futet një nen që siguron se ndërmarrjet publike nuk e përdorin pozicionin e tyre të veçantë ose të privilegjuar për të shtypur konkurrencën.
Deputetja nga partia në pushtet, Jeta Statovci në mbledhje të Komisionit për Ekonomi, ka theksuar se brenda vitit 2021-2023 ka pasur një përmirësim të dukshëm të gjendjes së ndërmarrjeve publike, pra siç tha ajo, konsiderohet me një profit 143 milionë euro.
“Është konsideruar një ndër ligjet më të rëndësishme e cila ka pasur nevojë të trajtohet edhe në kuadër të spektrit ligjor të saj. Ne kemi trajtuar materialin, përcjellim vit pas viti raportet e ndërmarrjeve publike për të kuptuar më mirë gjendjen brenda. Kemi pasur edhe një raund të vizitave për të kuptuar më mirë edhe specifikat e secilës ndërmarrje, sepse jo të gjitha ndajnë të njëjtat sfida, disa kanë pozicione të monopolit natyror, disa përballen me një konkurrencë më të egër, mirëpo është vlerësuar të jetë i nevojshëm edhe ky dëgjim publik ku ne marrim një perspektivë ndër sektoriale. Brenda vitit 2021-2023 kemi pasur një përmirësim dukshëm të gjendjes të ndërmarrjeve publike, pra konsiderohet me një profit 143 milion”, tha Statovci.
Ndërsa, Shqipe Arifaj nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se kanë marrë shumë vërejtje nga komunat lidhur me themelimin e ndërmarrjes publike lokale.
“Gjatë këtyre tre apo katër viteve ne kemi marrë prej shumë komunave vërejtje që shumë po tejzgjatet procesi, ka tre vite apo katër ende nuk është themeluar ndërmarrja publike lokale. D.m.th është proces shumë i gjatë, gati erdh përfundimi i mandatit të kryetarëve, për katër vite nuk ka mundur të themelohet ndërmarrje publike lokale, d.m.th qytetarëve nuk u ofrohet shërbimi është në mungesë… Konsiderojmë që ligji i ka rregulluar përgjithësisht mirë, nuk kemi marrë vërejtje që kanë kërkesë për ndryshim të ligjit, vetëm kërkojnë zbatimin e ligjit”,tha Arifaj.
Në anën tjetër, Iliriana Hysa nga Autoriteti i Konkurrencës ka propozuar që të futet një nen që siguron se ndërmarrjet publike nuk e përdorin pozicionin e tyre të veçantë për të shtypur konkurrencën.
“Vlerësoj se çdo ndërmarrje e cila kryen veprimtari ekonomike, pavarësisht formën juridike, mënyrën apo formën e organizimit, mënyrën e financimit, strukturën pronësore, është e obliguar që t’i respektojë rregullat e konkurrencës, pra dhe të veprojë konform ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në funksion të kësaj propozoj që të futet një nen që siguron se ndërmarrjet publike nuk e përdorin pozicionin e tyre të veçantë ose të privilegjuar për të shtypur konkurrencën”,tha Hysa.
Ndërkaq, deputeti nga partia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u shpreh se nuk ka parë ndonjë propozim sa i përket neneve përkatëse për plotësim-ndryshim të ligjit për ndërmarrjet publike.
“Nuk pash ndonjë propozim sa i përket neneve përkatëse për plotësim-ndryshim të ligjit për ndërmarrjet publike. Kur e them këtë, e kam parasysh se nëse nuk pajtohen me një nen atëherë është dashtë që të amadamentoni ju dhe të sjellni propozimin e saktë që të bëhet propozimi i atij neni që shkon në funksion të një menaxhimi më të mirë”, tha Lekaj.