Aktakuzë ndaj një personi në Prizren, dyshohet se e plagosi dikë për shkak të një borxhi

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.U., i cili gjendet në paraburgim nga data 15.07.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar…

Lajme

07/10/2024 11:11

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.U., i cili gjendet në paraburgim nga data 15.07.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, i akuzuari B.U., me datë 17.05.2024, rreth orës 17:30 min, në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pasi takohet me viktimën J.A., paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia jap një shumë parash prej 2,500.00 € (Dymijë e pesëqind euro) në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit të markës ‘’ËV Passat CC’’ , e cila ka qenë e hapur,  shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima i nënshtrohet tretmanit mjekësor pranë Repartit Kirurgjik të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” sipas KPRK-së”,thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu thuhet se i akuzuari B.U., mban në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, dhe me këto veprime ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cila akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Lajmi.net/