Balje tha se një 20 vjeçar u rrah nga sigurimi në Prizren, Policia e thotë krejt të kundërtën

Deputetja Duda Balje ka shkruar sot se një 20 vjeçar është sulmuar dje gjatë orës 22:30 në festën e Ditës së Boshnjakëve nga një punëtor i sigurimit. Krejt të kundërtën e ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi i cili ka thënë se 20 vjeçari e ka sulmuar fillimisht punëtorin e sigurimit. Sipas…

Lajme

29/09/2024 17:20

Deputetja Duda Balje ka shkruar sot se një 20 vjeçar është sulmuar dje gjatë orës 22:30 në festën e Ditës së Boshnjakëve nga një punëtor i sigurimit.

Krejt të kundërtën e ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi i cili ka thënë se 20 vjeçari e ka sulmuar fillimisht punëtorin e sigurimit.

Sipas Bytyqit, i dyshuari H.M ka tentuar të hyjë në hollin e sallës sportive ku ishin musafirët e ftuar e më pas është konfrontuar me punëtorin e sigurimit, shkruan lajmi.net.

Bytyqi ka treguar se të dy janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit janë liruar.

“Dje rreth orës 22:30 është shkaktuar një incident, respektivisht konfrontim fizik. Nga policia janë identifikuar personat e përfshirë në rast – të dyshuarit; H.M. 20 vjeç, nga fshati Grenqare, Prizren dhe një punëtor i sigurimit.  Sipas informative të deritanishme, H. M. ka tentuar që të hyje në hollin e salles sportive të dedikuar për mysafirë me rëndësi (të ftuar)” dhe se i njëjti ka hasë në kundërshtim të punëtorëve të sigurimit. Me këtë rast i dyshuari e sulmon fizikisht punëtorin e sigurimit duke e goditur të njëjtin me grusht në fytyrë. Punëtori i sigurimit i kundërpërgjigjet dhe për pasojë të dy personat kanë pësuar lëndime trupore. Të dy janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale. Për të gjitha është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me udhëzimin e tij është inicuar rast i klasifikuar si vepër penale ‘Lëndim i lehtë trupor. Të dyshuarit pas intervistimit janë liruar kurse kundër tyre, pas përfundimit të të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, do të ngritet kallëzim penal”, tha Bytyqi. /Lajmi.net/