Kurti: Flijimi i Afrim Bunjakut ia ka vlejtur fortë, për policinë, shtetin e gjeneratat e ardhshme

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot familjen e heroit Afrim Bunjaku. Pas vizitës tek familje, ai bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë shkuar edhe tek varri i zyrtarit policor i rënë heroikisht në Banjskë, Afrim Bunjaku. Kurti me këtë rast tha se anembanë Kosovës, është shteti i…

Lajme

24/09/2024 10:13

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot familjen e heroit Afrim Bunjaku.

Pas vizitës tek familje, ai bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë shkuar edhe tek varri i zyrtarit policor i rënë heroikisht në Banjskë, Afrim Bunjaku.

Kurti me këtë rast tha se anembanë Kosovës, është shteti i Kosovës, i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim.

“Numri i policëve me kadet të rinj po ritet, morali i policisë dhe ushtrisë kurrë s’ka qenë më i lartë andaj kjo sakrificë e flijim i rreshterit, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku ja ka vlejtur fortë për policinë, shtetin e gjeneratat e ardhshme. Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë shumë policë të tjerë, e ata që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që kufoma e tij e trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike. E ato që ishin të financuara nga Serbia, me paramilitarë që kishin shumë më tepër armatim se sa Bunjaku me shokë, ikën e me turp i lanë të vrarët et ë plagosurit e tyre e sot fshihen nëpër Serbi, sepse e dinë se e kanë humbur betejën një herë e përgjithmonë me shtetin tonë e popullin tonë liridashës”,tha Kurti, shkruan lajmi.net.

Ai shtoi se Serbia është përgjegjëse andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi, e në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë.

“Idealet e dëshmorëve për neve, do t’i jetësojmë e po i jetësojmë ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë, e po e përjetësojmë. Sot në Banjskë është vendosur tabela ku shkruan rruga Afrim Bunjaku, kjo është rruga e të gjithë neve. Lavdi Bunjakut dhe dëshmorëve të Kosovës”theksoi Kurti./Lajmi.net/