U arratis nga arresti shtëpiak, Maqedonia e Veriut lëshon fletëarrest për Blerim Ramadanin

Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut. Blerim Ramadani ishte arrestuar më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë- që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes INTERPOL-Serbia, nën akuza për kinse krime lufte.…

Lajme

15/08/2024 12:53

Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut.

Blerim Ramadani ishte arrestuar më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë- që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes INTERPOL-Serbia, nën akuza për kinse krime lufte.

Kurse më 1 gusht, Gjykata e Maqedonisë së Veriut mori vendim që Ramadani të vendosur në paraburgim, saktësisht në arrest shtëpiak dhe sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ai ishte paraparë që të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

Por pikërisht sot u bë e ditur se Ramadani është arratisur nga shtëpia e një të afërmi në Shkup ku edhe po qëndronte.

Në lidhje me këtë situatë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut  nga ku është konfirmuar arratisja e Ramadanit dhe ndër të tjerash është konfirmuar se tashmë organet kompetente në RMV kanë lëshuar urdhërarrest për ish-ushtarin e UÇK-së.

“Organi kompetent gjyqësor ka dorëzuar dokumentacionin në Ministri të Punëve të Brendshme për shpalljen e fletëarrestit qendror për personin B.R., pasi që momentalisht nuk është i qasshëm nga organet e ndjekjes. MPB do të ndërmarrë masa për gjetjen e këtij personi”, u tha në përgjigjen e MPB-së maqedone.

Ndryshe autoritetet serbe kishin akuzuar Blerim Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes në verën e vitit 1999.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Madje u tha se Ramadani kishte qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes së UÇK-së.

Së fundi, autoritetet e shtetit serb kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Madje Serbia ka shkuar edhe më larg duke bërë një listë të gjatë me emra të shqiptarëve që sipas tyre kanë kryer krime lufte, e të cilët po i kërkon përmes INTERPOL-it. Kësisoj ata në momentin që kalojnë në kufirin si Maqedoni e Veriut apo kufijtë e tjerë ku vlen INTERPOL-i serb atëherë ata mund të ndalohen e më pas të ekstradohen në Serbi.

Për Blerim Ramadanin ishte refuzuar ekstradimi në Serbi pikërisht nga Maqedonia e Veriut.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrar dhe të padrejtë arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Ditë më parë Kurti realizoi një vizitë zyrtare në shtetin maqedon ku edhe është deklaruar në lidhej me rastin e Ramadanit.

Ai tha se beson që ky rast do të përmbyllet sa më shpejtë në mënyrë që të zbatohet ligji.

“Besoj që do të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që edhe ligji të zbatohet, por edhe që marrëdhëniet e mira fqinjësore të ruhen e të mirëmbahen. Unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë ky që na ndodh, ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën”, ka thënë ai.

Edhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, ka ndarë të njëjtin mendim me Kurtin si dhe është shprehur se marrëdhëniet e mira fqinjësore e bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv.

“Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin ‘Monstra’ gjithashtu, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv. Ky takim është i mirë pasi duam t’i rrisim dhe përmirësojmë marrëdhëniet mes dy qeverive”, ka shtuar ai./Lajmi.net/