Dinari jo pjesë e dialogut

Zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore për heqjen e dinarit nga përdorimi nuk duhet të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel. Por s’ka gjë të keqe që, sipas kërkesës së amerikanëve, të shtyhet për një kohë. Pagesat nga Serbia duhet bërë si nga çdo shtet tjetër, por duke i dhënë fund valutës serbe në Kosovë.…

Opinion

01/02/2024 19:07

Zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore për heqjen e dinarit nga përdorimi nuk duhet të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel. Por s’ka gjë të keqe që, sipas kërkesës së amerikanëve, të shtyhet për një kohë. Pagesat nga Serbia duhet bërë si nga çdo shtet tjetër, por duke i dhënë fund valutës serbe në Kosovë.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Gati një çerek shekulli pas luftës dinari i Serbisë është përdorur pa pengesa në Kosovë. Ilegalisht, pa mbështetje në asnjë ligj e as kushtetutë, serbët kanë pranuar paga e pensione në dinarë, kanë bërë tregti në dinarë, kanë jetuar me dinarin.

Sipas një rregulloreje të re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nga data një shkurt valuta serbe nuk mund të përdoret më. Ankesat nga Beogradi kanë nisur, e bashkë me to edhe shqetësimet e ndërkombëtarëve për situatën e krijuar. Bashkimi Europian iu ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që të shtyjnë afatin për zbatimin e vendimit. Sipas burokratëve të Brukselit, kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun ndërmjet dy vendeve. Ka reaguar edhe QUINT’i.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm aktualisht. Rregullorja, gjithashtu, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në një deklaratë të pesëshes.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i vendimit, duke thënë se e respekton kushtetutën e vendit, por se “nevojitet kohë që serbët të mësohen me këtë”.

Pas një takimi me guvernatorin Ahmet Ismaili, Hovenier është shprehur se SHBA pret që kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht, por në këtë rast të veçantë zbatimi i rregullores mund të ketë pasoja. Sipas ambasadorit duhet siguruar që kjo gë të mos ndikojë negativisht te qytetarët dhe nevojitet një periudhë tranzicioni deri sa të sqarohen çështje të caktuara.

* * *

Është e vërtetë se nisja e zbatimit të rregullores nga fillimi i shkurtit mund të shkaktojë probleme për serbët kosovarë. Deri tash ata janë paguar me dinarë. Paratë silleshin nga Serbia në Kosovë përmes pikës së kalimit kufitar në Jarinjë, si vendkalimi më i afërt me Leposaviqin, ku ndodhet përfaqësia e thesarit të Bankës së Serbisë. Kjo mënyrë primitive e hyrjes së parave në Ksoovë duhet të marrë fund, por duhet gjetur alternativa se si të veprohet tutje.

Beogradi mund të vazhdojë t’i bëjë pagesat në dinarë për serbët, por ato duhet bërë sipas rregullave që aplikohen për secilin shtet tjetër. Pra, pagesat të bëhen në dinarë, por serbët t’i marrin ato të konvertuara në euro, si valuta e vetme zyrtare për pagesa në Kosovë. Për ta bërë këtë, bankat në Kosovë duhet të ofrojnë mundësinë e konvertimit të valutave respektive.

Nuk duhet të ketë dilema nëse vendimi është i drejtë ose jo. Sipas kushtetutës dhe ligjeve, dinari nuk është dashur të përdoret asnjëherë pas luftë në Kosovë. Është çështje tjetër pse nuk ka ndodhur kështu, për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe ndikimit të madh të Beogradit mbi serbët lokalë.

Dinari në Kosovë është një ndër reliket që kujton sundimin serb dhe njëkohësisht i lidh serbët emocionalisht me shtetin amë. Por, po ashtu, është edhe mjet me të cilin Beogradi i mban të lidhur serbët me paga, pensione e ndihma sociale.

Pagesat Beogradi mund të vazhdojë t’i bëjë në dinarë, por serbët lokalë duhet t’i marrin ato në euro. Njësoj siç mund të bëjë pagesa Shqipëria për ndonjë qytetar të Kosovës me lekë, por ato merren në euro. Ose njësoj siç mund të bëjë pagesa në euro shteti i Kosovës si ndihmë për qytetarët e Luginës së Preshevës, por ato para atje duhet të konvertohen në dinarë.

Këto praktika njihen gjithandej dhe janë të rregulluara me ligje e rregullore. Por, duhet pajtuar se nevojitet një periudhë tranzicioni për serbët në Kosovë që kjo të ndodh. Nuk është e nevojshme që kjo çështje të diskutohet në Bruksel – mjafton që Kosova të ofrojë mundësi që gjendja të ndërrojë “pa dhimbje” për serbët lokalë. S’ka nevojë që zbatimi i këtij vendimi të shihet si presion mbi serbët. As si hakmarrje.