Federata e Karatesë me dy kryetarë dhe përplasje mes dy grupeve, KOK-u vëzhgon situatën
Besart Baruti është zgjedhur kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës në Kuvendin e jashtëzakonshëm të mbajtur më 4 korrik, kuvend ky që është thirrur pas dorëheqjes së 10 anëtarëve të bordit të deritanishëm të udhëhequr nga Avni Gashi, i cili thotë se vazhdon të jetë kryetar në fuqi i kësaj federate. Sekretari i FKK-së,…
Sport
Besart Baruti është zgjedhur kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës në Kuvendin e jashtëzakonshëm të mbajtur më 4 korrik, kuvend ky që është thirrur pas dorëheqjes së 10 anëtarëve të bordit të deritanishëm të udhëhequr nga Avni Gashi, i cili thotë se vazhdon të jetë kryetar në fuqi i kësaj federate.
Sekretari i FKK-së, Nazmi Gashi thotë për KosovaPress se thirrja e kuvendit ishte e domosdoshme sepse pas dorëheqjes se bordit, as kryetari dhe as organet tjera nuk janë funksionale.
Gashi: Kuvendi i ri është mbajtur pasi bordi ka dhënë dorëheqje
“Më datën 22.06.2023, 10 nga 15 anëtarët e bordit ekzekutiv të FKK-së, kanë ofruar dorëheqjen me shkrim dhe të njëjtit janë larguar në mënyrë të njëanshme nga detyrat e tyre që janë të bazuara në statut dhe si rrjedhojë e kësaj, pasi të gjitha organet në momentet kur dorëhiqet bordi janë jofunksionale, përfshirë edhe kryetarin që është në detyrë, pastaj sepse nuk ka bord për të marrë vendime. Është ftuar më datën 24 për datën 04.07, mbledhja ose Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor bazuar në pikën 6 të statutit…Bazuar në këto rrethana që janë krijuar kanë dalë organet e reja drejtuese të Federatës së Karatesë së Kosovës.”, thotë Gashi.
Por, këtë kuvend e quan të paligjshëm dhe të padrejtë, Avni Gashi, i cili thotë se është kryetar në fuqi i Federatës së Karatesë, duke shtuar se vazhdon ta ketë mbështetjen e shumicës së bordit të kësaj federate.
A Gashi: Kuvendi është ftuar pa bazë ligjore
“E para e punës kuvendi është ftuar nga sekretari gjeneral i Federatës, i cili në asnjë variant nuk e ka atë të drejtë. Kjo ka ndodhur në kohën kur unë isha në një udhëtim zyrtarë në Evropë, sigurisht për sportin e karatesë disa anëtarë të bordit kanë nënshkruar një dorëheqje, sigurisht edhe ata kanë qenë të ndikuar, gjë të cilën e faktojnë tërheqjet e nënshkrimeve të dy prej tyre së paku deri më tani. Ne kemi mbajtur mbledhjen e bordit pas asaj tentative të anëtarëve të bordit, kemi mbajtur mbledhjen e bordit, e kemi pasur shumicën në bord dhe bordi është funksional me 8 plus 2, që i bie 10 anëtarë nga 15 gjithsejtë jemi të konsoliduar si bord”, shprehet Gashi.
Sipas sekretarit të FKK-së, ndryshimet në këtë federatë kanë ardhur për shkak se anëtarët e bordit të Federatës kishin një varg pakënaqësish me udhëheqjen e Avni Gashit.
Gashi: Bordi kishte shumë pakënaqësi me kryetarin e deritanishëm
“Anëtarët e bordit ekzekutiv të dorëhequr i kanë renditur 10 pika dhe ato i kanë deponuar në dorëheqjen e tyre që i kanë sjellë pranë zyrës këtu. Ka pakënaqësi rreth dështimit të mbajtjes së Kampionatit Evropian në Qipro, dështim në mbajtjen e Kampionatit, me mospjesëmarrje në Kampionatin Evropian që është organizuar në Guadalharo në Spanjë, dështim pjesëmarrje në Kampionatin Mediteran në Tunizi, ulja e imazhit të federatës në përfaqësim nga kryetari që është detyrë primare e kryetarit përfaqësimi i kryetarit brenda dhe jashtë vendit, duke e rrezikuar edhe largimin nga Federata Botërore e Karatesë, dështim në realizimin e premtimeve lidhur me subvencionimin me Ligjin e Sponsorizimit, nuk kemi pasur një sponsor të fituar gjatë kësaj kohe dhe një varg çështjesh tjera që të dorëhequrit i kanë renditur para dorëheqjes.”, thekson ai.
Por, Avni Gashi pretendon se të gjitha këto zhvillime po ndodhin për shkak të interesave personale e grupore, të cilat mund të sjellin edhe heqjen e licencës nga ana e Ministrisë së Sportit.
A Gashi: Për këto veprime duhet të ketë pasoja ligjore ndaj personave përgjegjës
“Ky është një shqetësim që e kanë shkaktuar një grup njerëzish për interesa puro personale me shtytje edhe nga jashtë, sepse këtu në sport ka shumë njerëz që nuk mendojnë për sportin por kanë agjenda private, personale, klanore dhe në këtë mes nuk mendohet për sportin dhe sportistët por për veprime të tilla, të cilat janë edhe të ndëshkueshme në fund të fundit, sepse çdo veprim i paligjshëm dhe anti-statutar, ka edhe pasojat e veta. Shpresoj të mos ndodh ajo më e keqja që Federata e Karatesë së Kosovës të privohet nga licenca, e cila do të ishte tragjike për ne, sepse kjo nënkupton mospjesëmarrje në gara jashtë shtetit, mos-financim e rrjedhimisht edhe shuarje të talentëve tanë”, shprehet ai.
Mirëpo, sekretari Gashi thotë se nuk ka asnjë rrezik që Federata e Karatesë ta humbë licencën, derisa kërkon që Ministria e Sportit të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të kësaj federate.
Gashi: Federata nuk e rrezikon tërheqjen e licencës, por MKRS të mos ndërhyjë në punët tona
“Jo, jo, absolutisht jo kjo nuk ka të bëjë me tërheqje të kurrfarë licence për shkak se ne veprojmë dhe kushtetua jonë është kjo, është statuti i Federatës së Karatesë së Kosovës, i cili statut është i deponuar edhe në MKRS dhe nëse me këso lloj të arbitraritetit tërhiqen licencat, atëherë ne nuk kemi nevojë të kemi as ligj, as rregullore, as statut, por iu themi atyre të MKRS-së ju u bëni rregulla brenda nesh…Është e papranueshme që të kërcënohen delegatët se do të merret licenca e federatës. Janë kërcënuar direkt në procesverbal nga anëtarët vëzhgues të ministrisë dhe kanë thënë që po ua përcjellim shqetësimet dhe vendimet e ministrisë. Ata aty kanë qenë në cilësinë e vëzhguesve, ka qenë i tepërt insistimi i vëzhguesve të ministrisë.”, nënvizon Gashi.
Gjithë këtë situatë me kujdes është duke e vëzhguar Komiteti Olimpik i Kosovës. Presidenti Ismet Krasniqi thotë për KosovaPress se janë duke e pritur raportin e të dërguarit të tyre në këtë kuvend dhe pastaj do të japin vlerësimin nëse gjithçka ka shkuar sipas dispozitave ligjore sportive.