Fillon “Java Olimpike”, shumë aktivitete sportive do të mbahen në gjithë Kosovën
Nga sot deri më 16 qershor në për të gjitha komunat e Kosovës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive në kuadër të “Javës Olimpike” që organizohet nga Komitetit Olimpik i Kosovës. Përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të të rriturve në aktivitete sportive është qëllimi kryesor i këtij aktiviteti. Presidenti i KOK-ut,…
Sport
Nga sot deri më 16 qershor në për të gjitha komunat e Kosovës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive në kuadër të “Javës Olimpike” që organizohet nga Komitetit Olimpik i Kosovës.
Përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të të rriturve në aktivitete sportive është qëllimi kryesor i këtij aktiviteti.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se motoja kryesore e këtij aktiviteti është marrja me sport sa më shumë që është e mundur.
Krasniqi: Qëllimi i javës olimpike është përfshirja sa më e madhe e njerëzve në sport
“Qëllimi kryesor është përfshirja e sa më shumë fëmijëve dhe të rriturve që të merren me aktivitete të ndryshme sportive gjatë kësaj jave olimpike. Njëherit edhe motoja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është që sa më shumë të merremi me sport, sa më shumë të jemi aktiv në sport.”, tha Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, njëherit edhe kryetar i komisionit për organizimin e Javës Olimpike derisa zbuloi agjendën e kësaj jave, theksoi se të gjitha komunat e Kosovës do të kenë organizime të ndryshme sportive.
Sylejmani: Shumë aktivitete na presin gjatë Javës Olimpike
“Më datën 13 qershor është paraparë të mbahet tryeza e sportit në bashkëpunim mes Ministrisë për Kulturë, Rinisë dhe Sport dhe Komitetit Olimpik të Kosovës., pastaj do të vizitohen kopshtet publike dhe private ku do të promovohen vlerat olimpike. Të njëjtën ditë do të zhvillohen aktivitete në komunat e Gjilanit, Malishevës, Hanit i Elezit, Drenasi dhe Fushë Kosova. Më 14 qershor, Federata e Sportit Universitar të Kosovës do të organizojë aktivitete të ndryshme sportive, kurse komunat që do të kenë aktivitete janë Vushtrria, Skënderaj, Peja, Istogu, Klina, Deçani dhe Juniku. Më 15 qershor do të mbahet turneu i futbollit i cili organizohet në stadiumin e Tokbahçës me pjesëmarrjen e ekipeve kryesisht nga institucionet sportive. Në të njëjtën ditë, komunat e Podujevës, Vitisë, Kamenicës, Obiliqit, Gjakovës dhe Rahovecit do të organizojnë aktivitete me fëmijët. Dita kryesore është ditën e premte ku do të shënojmë Ditën Olimpike. Me këtë raste do të mbahet edhe prezantimi i ekipit të Kosovës për Lojërat Evropiane “Krakov 2023”. Po ashtu do të organizohen aktivitete në komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit, Suharekës, Ferizajt dhe Lipjanit”, tha Sylejmani.
Agron Dubovci, sekretar i Federatës së Sportit Shkollor deklaroi se fokusi kryesor do të jetë tek fëmijët para të cilëve gjatë kësaj jave do të prezantohen fituesit e medaljeve olimpike në mënyrë që edhe ata të frymëzohen që të sjellin medlaje të nivelit të lartë në Kosovës në të ardhmen.
Dobovci: Përfshirja e fëmijëve ne aktivitete sportive është qëllimi kryesor
“Aktiviteti ynë kryesisht përfshihet me nxënës dhe po ashtu do të jemi prezent në të gjitha komunat që nga dita apo fillimi më 13 qershor deri më 16 qershor. Në të gjitha komunat do të ketë Federata e Sportit Shkollor përmes shoqatave që ka dhe me ndihmën e Komitetit Olimpik organizimin e Javës Olimpike. Kryesisht do të ketë aktivitete të lira, lojëra dhe prezantime të olimpistëve të mëhershëm dhe qëllimi kryesor është që fëmijët ta shohin dhe prekin suksesin e Olimpistëve tanë që nesër në një ditë të ardhme pse mos të kemi edhe ne fitues të medaljeve olimpike.”, tha Dubovci.
Aktiviteti kryesor do të zhvillohet të premten, më 16 qershor në “Ditën Olimpike”, ku edhe do të bëhet prezantimi i ekipit të Kosovës për Lojërat Evropiane “Krakov 2023”./Lajmi.net/