​Policia fton qytetarët të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm gjatë zgjedhjeve në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar për planifikimet dhe angazhimet në menaxhimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor që do të zhvillohet të dielën në katër komunat veriore. Institucioni i sigurisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke raportuar çdo rast të kundërligjshëm ditën e 23…

Lajme

21/04/2023 23:25

Policia e Kosovës ka njoftuar për planifikimet dhe angazhimet në menaxhimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor që do të zhvillohet të dielën në katër komunat veriore. Institucioni i sigurisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke raportuar çdo rast të kundërligjshëm ditën e 23 prillit.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka siguruar qytetarët se çdo raportim do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.

Institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre. Raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu bëhet e ditur se plani i Policisë parasheh angazhimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, në mënyrë që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës do të mbahen më 23 prill.