Projekti “Bashkë për Futbollin” – Agim Ademi jep detaje në lidhje me marrëveshjen për sigurim shëndetësor për futbollistët

Agim Ademi ka dhënë detaje në lidhje me marrëveshjen për sigurim shëndetësor për futbollistët e Superligës së Kosovës, pikë kjo e paraparë në projektin e tij katërvjeçar “Bashkë për Futbollin”. I pari i FFK-së, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, njoftoi se tashmë çdo lëndim i marrë nga futbollistët dhe futbollistet e Kosovës do ta…

Sport

08/09/2022 17:26

Agim Ademi ka dhënë detaje në lidhje me marrëveshjen për sigurim shëndetësor për futbollistët e Superligës së Kosovës, pikë kjo e paraparë në projektin e tij katërvjeçar “Bashkë për Futbollin”.

I pari i FFK-së, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, njoftoi se tashmë çdo lëndim i marrë nga futbollistët dhe futbollistet e Kosovës do ta ketë mbulueshmërinë prej kompanisë “Sigal Uniqa Group Austria”.

Pos të tjerash, ai njoftoi se FFK është duke punuar në jetësimin e Qendrës së Rehabilitimit e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë futbollistëve.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Pikat strategjike të programit tim katërvjeçar ‘Bashkë për Futbollin’ tashmë kanë filluar të finalizohen një nga një.
Krahas projekteve të shumta që janë realizuar dhe të tjerave që janë në proces, jam i lumtur që nga sot futbollistet dhe futbollistët e klubeve tona do ta kenë sigurimin e tyre shëndetësor.
Lëndimet e futbollistëve përveç se janë po thuajse të paevitueshme ato kanë edhe kosto të madhe. Si rrjedhojë, ato, kanë qenë barrë e madhe për klubet por në shumë raste edhe për vetë futbollistët.
Tani me marrëveshjen e arritur me kompaninë ‘Sigal Uniqa Group Austria’ futbollistet dhe futbollistët do ta kenë të zgjidhur këtë çështje, pasi do të pajisen me polica të sigurimit dhe të gjitha lëndimet do t’u mbulohen nga kjo marrëveshje.
Me këmbëngulje të madhe jam duke punuar edhe në pikën tjetër të programit tim – jetësimin e Qendrës së Rehabilitimit, e cila po ashtu do të jetë në funksion të të gjithë futbollistëve të lënduar, të cilët do të kenë përkujdesjen e stafit profesional mjekësor dhe të gjitha kushtet e nevojshme deri në rehabilitimin e plotë.
E së shpejti, do të finalizojmë edhe projektin e ‘Muzeut të Futbollit’, i cili do ta pasqyrojë historinë e pasur dhe unike të futbollit tonë ndër dekada.
Futbollisteve dhe futbollistëve tanë u uroj të kenë shëndet të mirë e sa më pak lëndime, derisa së bashku do të vazhdojmë të punojmë për kushte sa më të mira përbrenda vendit tonë dhe për suksese të reja në arenën evropiane.
A.A. /Lajmi.net/