Kurti: Pala serbe s’po e sjell listën e konsumatorëve të rrymës në veri dhe po shtyen takimet e parapara në Bruksel
Kryeministri Albin Kurti, është deklaruar para mediave pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë. Me këtë rast Kurti foli lidhur me procesin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë në veri të Kosovës. Kurtit theksoi se nuk mund të pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri, e të papaguar atje…

Lajme
Kryeministri Albin Kurti, është deklaruar para mediave pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.
Me këtë rast Kurti foli lidhur me procesin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë në veri të Kosovës.
Kurtit theksoi se nuk mund të pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri, e të papaguar atje në dimrin që vjen.
“Me çmimet të cilat ishin në dhjetor e janar të viti të kaluar të gjithë e kanë të qartë se s’mund të kemi përsëritje të së njëjtës në dimrin që vjen, por Brukseli e ka evidentuar që qasje destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit ashtu siç janë paraparë oraret”,deklaroi ai.
“Pra kishte një kalendar të limiteve kohore, që matej me ditë. ZRRE e kishte dy javë për të bërë licencimin e bëri brenda dy ditëve, e ata kishin një javë që të sjellin regjistrin e konsumatorëve nuk e bënë as sot e kësaj dite. Ne presim reagimin e Brukselit, por në situatën e njëjtë padyshim se s’mund të vazhdohet me mënyrat e vjetra. Ne jemi konstruktiv e të përkushtuar pro Beogradi është në anën e kundër të sjelljes sonë”,tha Kurti, shkruan lajmi.net.
Kryeministri Kurti foli edhe lidhur me një takim të mundshëm që ishte paraparë të zhvillohej këtë javë në Bruksel në mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se janë pikërisht pala serbe ata që po kërkojnë që këto gjëra të shtyhen.
“Ka pasur të ndodhë këtë javë një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivelin e lartë në Bruksel, mes meje dhe presidentit serb por janë ata që kanë kërkuar të shtyhet kjo gjë. Ata po e shtyjnë dorëzimin e listave të konsumatorëve në veri, takimin e radhës në Bruksel dhe janë ata që s’po i përgjigjen pozitivisht bisedimeve që zhvillohen atje për çështjet e raporteve midis neve.Ndërkaq çfarëdo pretekste që përdoren nuk janë të vërteta, por përpjekje për tu shfajësuar në kohën e rastin kur fajësia s’ka qenë kurrë më e qartë”,shtoi Kurti./Lajmi.net/