Kosova pëson humbje të thellë nga Danimarka

Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje me rezultat mjaft të thellë nga Danimarka.

Sport

30/06/2022 21:03

Kosova ka pësuar humbje nga Danimarka me rezultat 105:71 (26:19, 20:17, 30:17, 29:18), në ndeshjen e Grupit C të rrethit të parë parakualifikues për FIBA Eurobasket 2025, transmeton lajmi.net.

Pas një fillimi të barabartë, vendasit për një nuancë ishin më të mirë, për të krijuar një epërsi të lehtë, që e shtuan me kalimin e minutave, ku më e larta ishte 26:14, kurse pesë pikë radhazi nga dardanët bën që çereku i parë të përfundojë 26:19.

Epërsia e danezëve u ngrit sërish në periudhën e dytë, 32:21, megjithatë basketbollistët e Kosovës nuk u dorëzuan për të ngushtuar shifrat në 38:34, por në fund të kësaj pjese, Danimarka kishte një seri të suksesshme për të shkuar në pushim me rezultat 46:36.

Dallimi më i madh u bë në periodën e tretë, ku vendasit ishin më të mirë dhe arritën epërsi deri në 26 pikë, 73:47, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 76:53. Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte shumë ndryshime dhe Danimarka fitoi me rezultat 105:71.

Te Kosova u dalluan Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi me nga 17 pikë. Kosova përfundon grupin me një fitore dhe tri humbje, ndërsa Danimarka dhe Norvegjia kanë nga dy fitore e një humbje. Këto dy Përfaqësuese do të takohen të dielën për vendin e parë./Lajmi.net/