Që 42 vjet i verbër, “lufta” e Bekim Krasniqit me shoqërinë
Tash e 42 vjet e ka humbur shikimin, por ka zhvilluar në vete aftësitë për të luftuar për atë që do në jetë.

Lajme
43 vjeçari Bekim Krasniqi kishte mbetur plotësisht i verbër në moshën një vjeçare, duke bërë që gjithçka për të jetë të ketë vështirësi shtesë.
Mes paragjykimit, pamundësisë për të treguar vetën e insistimin për të mos hequr në qëllimet e veta, lufta e Bekimit me shoqërinë dhe rrethanat vazhdon ende.
Ndonëse pa qenë i vetëdijshëm për atë që po përjeton, stigmën e kishte pjesë të ditëve të tij që në fëmijëri. Fati për të qenë person i verbër, i kishte pamundësuar të shijonte lojërat e argëtimin që di të falë vetëm periudha e fëmijërisë.
“Po ka pasur kryesisht mundshme të them gjatë aktiviteteve të lira gjatë lojërave me fëmijë të tjerë që janë habitur se si ‘ne po mundemi me luajtur këtë lojën kështu, dhe ti nuk po mundesh’, pra nuk kanë mundur ta perceptojnë atë se për shkak të verbërisë nuk kam mundur mi përsëritë veprimet e njëjta siç i kanë përsëritur bashkëmoshatarët e mi me lojëra dhe aktivitete të ndryshme”, tha ai.
Derisa flet për sfidat që ka kaluar gjatë jetës si i verbër, ai thotë se vështirësitë më të mëdha kanë qenë gjatë viteve të studimeve.
“Vështirësitë më të theksuara kanë qenë gjatë studimeve ku ka munguar literatura adekuate në shkrimin brail por edhe në audio e të cilën kryesisht përmes mirëkuptimit me ligjëruesit me mentorët është dashur ta marrë në formë digjitale edhe atë përmes sintezës fokale të gjuhëve të huaja është dashur ta dëgjoj dhe të mundohem të nxjerr mësimet dhe të përgatitem për lëndë të caktuara gjatë gjithë procesit të studimeve ka ndodhur kjo”, tha ai.
Por, vendosmëria e tij kishte bërë që ballafaqimi me të gjitha vështirësitë e mundshme të jetë i vazhdueshëm për të arritur qëllimet e tij.
E pavarësisht studimeve e arritjes së tij akademike e intelektuale, të qenurit i verbër e kishte penalizuar për të fituar një vend pune.
E, tani ai me punën e tij në si menaxher i projekteve në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës vazhdon të jetë i vendosur në krijimin e kushteve më të mira për personat e verbër në Kosovë.
“Fillimisht pas kërkesës së Shoqatës të Verbërve të Kosovës për zgjedhjen e trajnerëve në fushën e energjisë informative asistuese kam aplikuar dhe kam ndjekur trajnimet në këtë fushë të cilat janë mundësuar nga donatorët e ndryshëm e veçanërisht fokus të veçantë i ka kushtuar rëndësi përgatitjes sonë Agjencioni për Bashkëpunim dhe Zhvillim nga Çekia që ka përgatitur trajnerët jo vetëm në fushën e teknologjisë informative por edhe në fusha të tjera dhe gradualisht me zhvillimin e shkathtësive në fushën e teknologjisë informative më pas është paraqitur nevoja për pozita të ndryshme në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës ku fillimisht kam udhëhequr me shërbimet që Shoqata e të Verbërve të Kosovës ofron për komunitetin dhe anëtarësinë e saj dhe më pas dhe me ndryshimin dhe rregulloreve dhe akteve tjera të brendshme normative ku edhe është bërë zhvendosja në pozitën menaxher i programeve që është filluar të aplikohet nga fillimi i vitit 2022”, u shpreh ai.
Shoqata e të Verbërve të Kosovës mbulon të gjithë territorin e Kosovës përmes 13 degëve të saj. Në Kosovë janë rreth 5 mijë persona të cilët kanë probleme me shikim dhe me dëmtime në të pamur./Lajmi.net/