Shala kritikon Qeverinë Kurti, lavdëron atë të Thaçit

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka folur për konkursin e fundit në KEK e për të cilin u bë shumë zhurmë duke thënë se Qeveria Kurti ka vendosur menaxhment të dëgjueshëm politik dhe rekrutimet kanë qenë mbi bazë partiake dhe familjare.

Lajme

07/04/2022 10:55

“Pas më shumë se një viti të Qeverisë Kurti ne kemi pritur rezultatet e para në sektorin energjetik. Fatkeqësisht rezultatet e vetme janë ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike si ZRrE, KOSTT, KEK e kështu me radhë. Ndërhyrjet e fundit në ndërmarrjen më strategjike të vendit, KEK-un, duke vendosur menaxhment tipik të dëgjueshëm politik dhe joprofesional dhe duke vazhduar me rekrutime mbi baza partiake dhe familjare është jashtëzakonisht shqetësuese për institucionet e shtetit dhe shoqërinë tonë”.

Shala, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se kryeministri Albin Kurti do të duhej ta vizitonte sot KEK-un dhe t’i jepte shumë përgjigje, sipas tij, të munguara punëtorëve të KEK-ut.

“Kjo është e papranueshme, e paligjshme dhe e dëmshme për sektorin e prodhimit vendor të energjisë. Kjo është lëndë për drejtësinë. Sot kryeministri do të duhej ta vizitonte KEK-un dhe t’i kërkonte falje punëtorëve për premtimet që u kishte dhënë. Do të duhej të kërkonte falje për të gjitha shkeljet që po ndodhin në menaxhimin e KEK-ut, për anashkalimin e ekspertëve vendorë dhe atyre të huaj duke i paguar shtrenjtë ata. Sot kryeministri do të duhej të vizitonte KEK-un dhe t’i informonte punëtorët se ku shkuan 20 milionë euro të ndara nga qeveria për KEK-un, se si u menaxhua kriza energjetike, dhe për KEDS-in që s’po ia kthen rreth 60 milionë euro mjete financiare. Këto një ditë do të jenë pjesë e hetimit parlamentar të cilin kryeministri dhe mazhoranca po e bllokon”.

Deputeti i PDK-së e ka kritikuar Qeverinë Kurti, derisa ka lavdëruar atë të ish-shefit të tij partiak Hashim Thaçi.

“I hoqi gjeneratorët nga ekonomia e familjeve tona. E hoqi errësirën dhe ktheu dritën në çdo shtëpi tonën. Qeveria e Hashim Thaçit investoi projekte në revitalizimin e KEK-ut në infrastrukturë, në hapjen e minierave të reja dhe shumë pjesë dytësore të energjisë. Krijoi stabilitet energjetik me çmimin më të lirë në rajon dhe Evropë për qytetarin. Vetëm në termocentralin Kosova B nga viti 2010 janë realizuar 15 projekte kapitale në vlerë mbi 50 milionë euro, ndërsa në miniera nga viti 2009 janë realizuar projekte të mëdha kapitale”.