Refuzimi i propozimit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ky është reagimi i vendeve të QUINT-it
Vendet e QUINT-it kanë reaguar sot lidhur me refuzimin e propozimit nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke thënë se Kosova është ajo që vendos.

Lajme
Por në këtë reagim theksohet se janë të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i, transmeton lajmi.net.
Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT-it, saktësisht të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.
“Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, janë angazhuar intensivisht me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill 2022”, thuhet në reagim.
“Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendos nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendit tjetër. Ndonëse ne vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të tregojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet tutje në reagim.
Tutje u tha se një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet e QUINT-it dhe do të cenojë aspiratat e tyre evropiane.
“Pas pushtimit rus të Ukrainës, ne mirëpritëm përafrimin e Kosovës me deklaratat e miratuara nga BE-ja dhe anëtarët e QUINT-it. Megjithatë, Kosova pritet poashtu të mbajë vlerat dhe përgjegjësinë e saj thelbësorë ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, si dhe të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të grupeve minoritare.Presim që Qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësorë për të arritur një progres drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën e Kosovës në BE”u tha në reagim.
“Në përsërisim thirrjen tonë të fortë ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që rrit tensionet dhe mund të çojë në incidente”./Lajmi.net/